“Nuk e organizova unë sulmin ndaj avokatit. Nuk kam lidhje me ngjarjen”. kështu ka deklaruar në polici Dritan Nano, i cili akuzohet si organizator i sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi dje në zonën e ish-Bllokut. Dëshmia është siguruar për BalkanWeb nga gazetari Igli Çelmeta.

Ky i fundit raporton se Nano nuk ka qenë bashkëpunues me policinë, ndërsa kjo e fundit disponon prova të mjaftueshme për ta implikuar personin në fjalë në këtë ngjarje.

Nano dhe 7 familjarë të tjerë ishin në një proces gjyqësor për një pronë pranë digës së Liqenit Artificial të Tiranës. Trashëgimtarët e pronës përfaqësoheshin në gjyq nga avokati Sokol Mëngjesi. Gjyqi është fituar, por Dritan Nano nuk ka pranuar të respektojë kontratën me avokatin Sokol Mëngjesi e cila parashikonte detyrimin për t’i dhënë një apartament banimi. Ky mendohet të ketë qenë edhe konflikti mes Nanos dhe Mëngjesit.

Po ashtu raportohet se Nano ka pasur lidhje krushqie dhe shoqërore me autorët e dyshuar të sulmit ndaj avokatit të ish-kryeministrit Berisha.

Kujtojmë se si të akuzuar për përfshirje në ngjarje janë; organizatori i sulmit – Dritan Nano (i arrestuar), Dorian Alia, që u vetëdorëzua, ndërsa në kërkim janë; Elton Kasaj; Romario Tabaku si dhe Drivald Alia.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb