TIRANE – Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, në një lidhje telefonike me News24 & BalkanWeb  ka dhënë detaje nga konfrontimi fizik me policinë brenda ambienteve të Gjykatës së Tiranës, ku pritet masa e sigurisë për 23 të arrestuarit pas protestës së dhunshme në Kukës.

Ristani tha se në sallën e gjyqit nuk janë lejuar të futen as familjarët dhe as deputetët e opozitës, PD dhe LSI.

“Gjysma e Tiranës është e rrethuar me trupa policore. Një grup deputetësh të PD dhe LSI erdhën të ndjekin gjyqin, kur tentuam të futemi aty, policia filloi të na shtynte për të na nxjerrë jashtë. Kjo ndodhi në mënyrë të paligjshme, policia gjakosi deputetin Edmond Spaho. Familjarët nuk u lejuan të futen, por as deputetët që duan të ndjekin një seancë gjyqësore në këtë Shqipëri që nuk e di ka mbetur ndonjë fije demokracie,” tha Ristani.

Më herët ishte dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, i cili i gjakosur akuzoi policinë se kishte ushtruar dhunë ndaj tyre.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: