Ministrja e Shtetit për Rininë, Bora Muzhaqi ka prezantuar sot platformën Deputeti që Duam, një risi që Partia Socialiste e aplikoi për herë të parë gjatë zgjedhjeve të vitit 2021 e cila kishte si synim të përthithte kandidatura nga jashtë radhëve të saj, por që kishin ambicien për të qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Muzhaqi është një prej të rinjve që asokohe kandidoi në këtë platformë dhe u përzgjodh  si kandidate për deputete, e që më pas nga Partia Socialiste do ti besohej edhe detyra e zëdhënëses së fushatës elektorale, e zëvendësministres së arsimit dhe Ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.

Në fjalën e saj gjatë punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste, Muzhaqi, në cilësinë e “kujdestares” së platformës Deputeti që Duam thotë se këtë herë “platforma është më e pasur dhe reflekton mësimet por dhe eksperiencën e fituar nga zgjedhjet e vitit 2021”.

Risia e kësaj platformë për këto zgjedhje është mundësia që u jepet kandidatëve të vendosin thekson tek një temë që e kanë përzemër, e cila mund të jetë një çështje që kandidati mendon se PS nuk e ka trajtuar sa dhe si duhet. Kandidatët, gjithashtu do të kenë kohë për tu angazhuar edhe në terren dhe në rrjetet sociale për të treguar aftësitë e tyre komunikuese, organizative, bashkëvepruese me ndjekësit që do të bëjnë për vete gjatë këtij procesi.

Një tjetër risi e kësaj platforme është edhe opsioni konfidencial i cili i lejon mundësinë e aplikimit të gjithë atyre që janë të angazhuar në organizata ndërkombëtare apo kanë angazhime të larta në sektorin privat në Shqipëri apo jashtë vendit. Ky opsion u jep atyre kohe për të pjekur mendimin e angazhimt publikduke testuar seriozitetin e kësaj platforme.

Aplikimi është fare i thjeshtë përmes faqes deputetiqeduam.al dhe përmban një formular të thjeshtë, jetëshkrimin e kandidatit, dy letra reference nga dy mbështetës të kandidatit dhe një video e shkurtër e regjistruar nga vetë kandidati.

Muzhaqi theksoi se “shumë prej atyre që i duhen Partisë Socialiste për Shqipërinë 2030, e dyshojnë angazhimin partiak, mendojnë se politika është vetëm për politikanët që gabimisht besohet se janë të gjithë njësoj”. Megjithatë, ajo shprehu bindjen se “mund t’ia dalësh dhe se asgjë nuk është më e fortë sesa qëllimet e pastra dhe e vërteta e punëve të mira” e kjo është fuqia që motivon platformën Deputeti që Duam.

Muzhaqi ftoi të gjithë profesionistët e çdo fushe që janë të bindur që mund të japin më shumë ekspertizë për ligjshmërinë, ekonominë, financat, bujqësinë, mjekësinë, arsimin, shkencën, teknologjinë dhe që besojnë se mund të ndikojnë në forcimin e rendit ligjor, në rritjen ekonomike, drejtësinë sociale dhe zhvillimin teknologjik, të aplikojnë te Deputeti që Duam dhe të japin kontributin e tyre për Shqipërinë 2030.

Fjala e plotë e Muzhaqit:

Të nderuar delegatë,
Të dashur miq,

Unë kam dashur të besoj tek Partia Socialiste, qëkur isha në gjimnaz dhe shikoja se si Edi Rama donte një Tiranë, e cila kur ai fliste,
dukej jashtë çdo realiteti dhe përtej kufirit të të mundurës,sidomos po të kishe parasysh lumin dhe llumin,që e kishte marrë me vete këtë qytet, në vitet e kaosit, kioskave, gropave, dhe plehrave.

Edhe në vitin 2013 kur vendosa të lija Londrën ku kreva studimet, ishte ai besim i vënë në provë,hap pas hapi dhe vit pas viti, që më solli këtu, pikërisht sepse Edi Rama me Partinë Socialiste morën mandatin për të rilindur Shqipërinë.

Nuk erdha për t’u marrë me politikë,as për t’u punësuar në shtet, po erdha sepse ndjeva,
besova, që po niste një kohë e re dhe minimumi,
qeveria nuk do të ishte më gogoli i atyre që nuk ishin në rreshtin e partisë së saj. Prova më fantastike e këtij besimi edhe qysh në fillim, kur Edi Rama si kryeministër e dëgjoi zërin e mijëra e mijëra të rinjve e qytetarëve të Tiranës, kur ata i thanë JO çmontimit të armëve kimike në Shqipëri.

Çfarë kontrasti me ata që nga dritaret e kryeministrisë së rrethuar me gardh si një burg, hapën zjarr dhe vranë protestuesit paqësorë në bulevard!

Besoja po ashtu se Shqipëria nuk do të mbetej më si një hije e dyshuar dhe e përçmuar në sytë e botës. Dhe ja ku jemi sot, Shqipëria respektohet kudo si e barabartë, në çdo forum ndërkombëtar dhe kryeministri ynë na përfaqëson të gjithëve, me dinjitetin dhe krenarinë e munguar për aq shumë vite. Mendoja se transformimi i ndërprerë me dhunë në Tiranë,kur u grabit mandati i tij i katërt në krye të bashkisë, nga drejtësia e kalbur dhe e kapur për fyti, do të vazhdonte edhe më fort. Jo vetëm për Tiranën, por për gjithë Shqipërinë. Dhe ja ku jemi sot, Tirana është bërë një lokomotivë e pandalshme ndryshimi, që tërheq turistë gjithnjë e më të shumtë, frymëzon arkitektë të famshëm ndërkombëtarë që projektojnë ndërtime të paimagjinueshme deri dje, nxit emigrantë që blejnë shtëpi dhe sipërmarrje të mëdha e të vogla që hapin dyer të reja.

Kur u ktheva, në vitin 2013, vura dijet e mia në punë në sektorin privat, duke u angazhuar në projekte të ndryshme, ndërkohë që u bëra vetvetiu mbështetëse e flaktë e Partisë Socialiste.

Kur në vitin 2021 dëgjova që ishte hapur një derë edhe për ata si unë, që Edi Ramën dhe Partinë Socialiste e kishin mbështetur ndër vite pa hipur vetë në skenë, pata një ndjesi të dyfishtë tundimi dhe dyshimi. Platforma Deputeti që Duam ishte një risi dhe doja ta provoja veten duke u regjistruar, por nga ana tjetër kisha frikën e zhgënjimit nga një lojë e mundshme.

Mjedisi ynë sigurisht nuk është më motivuesi i mundshëm për të tilla aventura,
sepse këdo pyet në këto raste të shikon sikur je budalla në rastin më të keq,
dhe sikur je bërë për keqardhje në rastin më të mirë. “A je në terezi që i beson këta?” “Po kush ta jep hakun këtu!” “Po pse o gocë bëhesh fasadë kot për lojrat e këtyre?” dhe sigurisht avazi “Këta janë të gjithë njësoj!”, etj. etj. Megjithatë thashë do ta provoj, qoftë edhe për të provuar se është një lojë dhe kështu nëse kam iluzione të kota, të paktën s’do jem më aq besimtare naive sa jam.

U regjistrova në platformë dhe ja ku jam sot.

U bëra pjesë e skuadrës së PS 2021,
mora më pak vota se sa duheshin për t’u bërë deputete, por gjithësesi mësova gjëra të reja
dhe mbi të gjitha e ushqeva besimin tim,
duke e provuar konkretisht se të guxosh të hedhësh një hap të tillë nuk është aspak një iluzion i gabuar. Më pas mu dha një detyrë
dhe më tej mu bë nderi i madh i përfshirjes në qeverinë e Edi Ramës.

U bëra e njohur si fillim nga memet e krijuara prej emocioneve kur hapja gojën përballë kamerave para syve apo sallës së parlamentit,
që herët e para më dukeshin si gryka zjarri të një skuadre pushkatimi.

Po nuk më mungoi asnjëherë mbështetja dhe inkurajimi i kryeministrit,
që më thoshte ti vazhdo bëj punën,
me kamerat e me publikun do ambientohesh natyrshëm.

Kështu ndodhi dhe i falenderoj me mirënjohje kolegët e sidomos koleget e mia,
të cilët më ndihmuan të kuptoj shumë gjëra dhe të mësoj se kjo nuk është thjesht një punë,
po një betejë e përditshme për të bërë punë të mira, duke kapërcyer lloj-lloj pengesash e vështirësish.

Sot, më është besuar edhe detyra që e kam shumë përzemër,
e kujdestares së platformës Deputeti që Duam,
ku edhe në emër të kryetarit të Partisë Socialiste dhe skuadrës së angazhuar në këtë nisëm,
i sigurojmë të gjithë ata që duan të hedhin hapin për të kërkuar të jenë pjesë e skuadrës së PS 2025, se do të trajtohen me të gjithë respektin e duhur dhe sipas meritës.

Këtë herë platforma është më e pasur
dhe besojmë se reflekton mësimet
po edhe eksperiencën e fituar nga 2021,
me vështrim drejt Shqipërisë 2030.

Aplikimi është i thjeshtë,
faqja deputetiqeduam.al do të hapet sot për të gjithë dhe do të mbetet e hapur për përmirësime të mëtejshme, në ndihmë të të interesuarve.

Një formular i thjeshtë, me jetëshkrimin,
dy letra reference nga dy mbështetës të kandidatit dhe një video e shkurtër e realizuar nga kandidati për të motivuar regjistrimin e tij në këtë garë të hapur.

Një risi këtë vit është se u jepet mundësia kandidatëve të vënë theksin tek një temë që e kanë për zemër, e cila mund të jetë një çështje
që kandidati mendon se Partia Socialiste nuk e ka trajtuar mjaftueshëm
apo nuk e ka trajtuar si duhet.

Po ashtu kandidatëve do t’u jepet kohë dhe mundësi të angazhohen në terren dhe në rrjetet sociale, për të treguar aftësitë e tyre komunikuese, organizative, bashkëvepruese me ndjekësit që do të bëjnë për vete.

Fuqia e vërtetë e Partisë Socialiste është aftësia për të reflektuar dhe ndryshuar vetveten në vijimësi, duke ecur përpara me kohën që ndryshon.

Dhe së fundi, për të lejuar mundësinë e aplikimit
për të gjithë ata që janë të angazhuar në organizata ndërkombëtare apo kanë angazhime të larta në sektorin privat në Shqipëri apo jashtë vendit, këtë herë aplikimi ka edhe opsionin  konfidencial, si një kohë për të pjekur mendimin e angazhimit publik duke testuar seriozitetin e kësaj platforme.

E di se shumë prej atyre që vërtetë i duhen Partisë Socialiste për Shqipërinë 2030,
e dyshojnë angazhimin partiak, mendojnë se politika është vetëm për politikanët që gabimisht besohet se janë të gjithë njësoj.

Plot prej tyre i friken baltës dhe trillimeve,
në media, në parlament, të sajesave dhe gënjeshtrave që do mund të dëgjojnë për veten, familjet, të afërmit e shokët e tyre.

Jam e fundit që mund t’u them atyre që kjo nuk do të ndodhi.

Duhet ta dish paraprakisht se sa më shumë të dallohesh aq më shumë ka gjasë që kjo do të ndodhi. Duhet të përgatitesh t’i dëgjosh dhe t’i shohësh të gjitha ato që nuk i imagjinon. Duhet ta ndash mendjen se do të përballeshme lloj lloj personazhesh që jo vetëm do të të paragjykojnë
por do të të zerojnë në publik punën dhe integritetin. Por duhet ta dish gjithashtu se mund t’ia dalësh dhe se asgjë nuk është më e fortë se sa qëllimet e pastra dhe e vërteta e punëve të mira.

Kjo është edhe fuqia që motivon platformën Deputeti që Duam: Për gjithë ata të rinj që sa herë shohin parlamentin apo debatet politike i bërtasin televizorit, sepse janë të bindur se ata kanë më shumë për të ofruar,

Për gjithë ato vajza e gra që janë të bindura
se mund të japin më shumë në luftën për barazi,
kundër dhunës gjinore, kundër dhunës në familje, kundër paragjykimeve dhe pengesave që sot e gjithë ditën janë më të shumta për gratë dhe vajzat.

Për të gjithë ato profesionistë që janë të bindur
se mund të japin më shumë ekspertizë
për ligjshmërinë, ekonominë, financat, bujqësinë, mjekësinë, arsimin, shkencën, teknologjinë dhe që besojnë se mund të ndikojnë në forcimin e rendit ligjor, në rritjen ekonomike, drejtësinë sociale dhe zhvillimin teknologjik për Shqipërinë 2030.

Për gjithë ata jashtë Shqipërisë që kanë marrë dije dhe kanë dëshirë t’i japin Shqipërisë diçka të re nga eksperienca e tyre.

Për Shqipërinë 2030 nesër na duhet një Parti Socialiste 2030 sot. Ne jemi këtu për këtë, me Edi Ramën dhe qindra mijëra shqiptarët që e kanë kthyer këtë parti në një lokomotivë fitoresh për Shqipërinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb