Ministrja për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, nga Kongresi Zgjedhor i PS-së tregoi ecurinë e punës deri më tani, ndërsa shtoi se po këputen fijet e çdo zyrtari të lidhur me korrupsionin.

Mes të tjerash ajo tha se Prokurimet Publike kanë hyrë në një fazë të re.

DEKLARATA E PIRDENIT
Të nderuar miq, kolegë, delegatë e të ftuar në këtë kongres,
Kënaqësi e nder të jem sot mes jush, si një nga shumë dëshmitarët dhe kontribuesit e kësaj epoke të re për Shqipërinë, kur maja e lartë e anëtarësimit në familjen europiane është afruar më shumë se kurrë më parë. Ka ende një të përpjetë të fundit për të ngjitur, por të jesh pjesë kaq e afërt e kësaj rruge sa të gjithë ne këtu, është një privilegj që meriton të gjithë energjinë tonë për jetësimin e Shqipërisë 2030, vend anëtar i Bashkimit Evropian. Dyert e Shqipërisë, ngahera të Zotit dhe mikut, janë hapur si asnjëherë më parë për botën mbarë. Shqipëria turistike ka hyrë në hartat e udhëtarëve nga të gjitha kontinentet si një destinacion unik, kozmopolitan dhe i sigurt, ku vlerat evropiane preken gjithnjë e më ndjeshëm, në një garë me vizionin e vetes më të mirë.

E përtej Shqipërisë së bukurive natyrore, perlave të trashëgimisë kulturore e zonave urbane e rurale të rilindura që vizitohen gjithnjë e me dendur nga miq të huaj, ndërkohë që në të tjera zona vazhdon puna me kantiere të mëdha e të vogla, për rilindjen urbane e rurale të vendit, në tryezat e Brukselit, administrata jonë publike nguliti në mendjet e mijëra kolegëve të administratës evropiane, një imazh surprizues, madje befasues për shumëkënd, falë përfaqësuesish dinjitozë, profesionistë, e të përkushtuar nga zyrat e të gjitha institucioneve tona publike.

Ballafaqimi shumë sfidues me Brukselin shënjoi jo vetëm një moment të së vërtetës për vlerën e kapitalit njerëzor në administratën tonë, por ishte edhe një dëshmi kuptimplotë e pjekurisë institucionale që kemi arritur të ndërtojmë përgjatë këtyre 10 viteve përgatitje të këtij momenti historik.
Përgjatë kësaj dekade, ne i shndërruam shumë sfida në mundësi dhe provuam me fakte se Shqipëria, deri dje një hije e dyshuar në radarin e Brukselit, mund të jetë një shembull suksesi dhe të bëhet ambasada par excellence e Evropës në Ballkan.
Nga kjo shkallë e re dinjiteti nuk mund të ketë kthim pas, po vetëm ngjitje më lart, deri në majën e Shqipërisë 2030.
Kjo forcë politike u bë motori i inovacionit, duke e renditur Shqipërinë të parën në rajon për ofrimin e shërbimeve publike digjitale.
Në vitin 2013, Shqipëria ofronte vetëm 14 shërbime online të përdorura nga 50 mijë qytetarë – edhe ato me shumë zor.
Sot, një dekadë më vonë, 3.1 milion të regjistruar në portalin E-Albania që përfitojnë 1240 shërbime online.
Krahas transformimit të madh digjital të Shqipërisë, u punua me durim dhe këmbëngulje për forcimin e skuadrës së madhe të administratës publike. Në këto dhjetë vite, kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm që e pati zanafillën në krijimin e një baze moderne ligjore, e më pas, përmes fuqisë së digjitalizimit, në lehtësimin e aplikimeve për çdo pozicion pune me vetëm një klikim, duke përfshirë edhe pozicionet e mësuesve, infermierëve dhe punonjësve të sigurisë.
Sot punonjësit e administratës publike janë përfituesit e drejtpërdrejtë të reformës së madhe të pagave të kësaj dekade, që e çoi pagën mesatare për ta në 105.000 Lekë ose afro 1000 euro në muaj.
Tanimë fokusi ynë është zhvillimi i kësaj baze të mirë, përmes promovimit të më mirëve në sektorin publik, si edhe të tërheqjes së më të mirëve nga tregu. Përmes masave të reja që po përgatisim, ne do ta optimizojmë dhe riorientojmë kapitalin njerëzor drejt sektorëve më jetikë për zhvillimin e vendit.
Vala e rienergjizimit të administratës shoqëroret me forcimin e frymës antikorrupsion, jo në aspektin e hetimeve të natyrës penale sepse ato s’janë detyra jonë, po në aspektin e modernizimit të proceseve të punës dhe rritjes së transparencës e të cilësisë së filtrave administrativë.
Një shembull domethënës për këtë është, fjala vjen, krijimi i Operatorit të Shërbimeve të Prokurimit, një trupë e specializuar për kryerjen e garave publike, e cila praktikisht ka mundësuar qysh prej disa muajsh që asnjë ministri të mos bëjë më tendera. Mbase pak, po shumë e sigurtë, që kjo ndërhyrje e fortë strukturore shmang titullarët dhe stafet teknike të ministrive në organizimin e tenderave, duke i ndarë institucionet qëndrore politikëbërëse, qoftë nga barra e një detyre me shumë ngarkesë të natyrës teknike, po qoftë edhe nga ngarkesa e lartë e paragjykimeve që është bërë zakon të shoqërojnë çdo tender publik.
Më duket me vlerë të sjell këtu në vëmendjen e të gjithëve se ndërkohë që kjo ngarkesë paragjykimesh është rritur, si rezultat i konfliktit politik me akuza për çdo gjë e kurdoherë, vlerësimet teknike ndërkombëtare të rezultateve të reformës e të masave të marra në fushën e prokurimeve publike, e kanë rreshtuar Shqipërinë të parën ndër vendet e rajonit.
Ne besojmë se me përfundimin e inovacionit më të ri të AKSHI-t, për modelin e Inteligjencës aArtificiale në këtë fushë, prokurimet publike në Shqipëri do të hyjnë në një fazë cilësie e transparence të denjë për një shtet të zhvilluar të Bashkimit Europian.
Ne besojmë përditë e më shumë se fijet e dukshme dhe të padukshme që lidhin një zyrtar publik me një akt të prezumuar korruptiv, kanë hyrë në një fazë këputjeje sistemike, qoftë falë punës që po bëjnë institucionet ligjzbatuese, e posaçërisht SPAK-u, qoftë falë pikërisht sa u përpoqa të them shkurtimisht më lart.
Jo më larg se këtë javë nisëm një raund të gjerë konsultimesh të Strategjisë së re Antikorrupsion, një dokument i ri bazë për këtë fazë të re të luftës kundër korrupsionit, me fokus goditjen e tij aty ku ai ndikon më thellë – në jetët, shëndetin dhe bizneset e qytetarëve tanë, me synim drejt qeverisjes më të hapur e më transparente në sektorët më të ndjeshëm si pronat, tatimet, doganat, shëndetësinë, arsimi.
Për Shqipërinë 2030 nuk do të pajtohemi me asgjë më pak se sa transparenca dhe llogaridhënia e plotë, jo me fjalët tona po me mekanizmat që do t’i garantojnë këto vlera demokratike të qeverisjes së mirë evropiane.
Të nderuar delegatë,
Pavarësisht skepticizmit, dekada e fundit ka dëshmuar që shumëçka mendohej e pamundur tashmë është bërë realitet i prekshëm. Ashtu si faqja e Shqipërisë është zbardhur dita-ditës në sytë e Evropës dhe botës, ashtu po ndërtohet, me të gjitha vështirësitë e veta, po me këmbëngulje e vendosmëri, Shqipëria 2030, anëtarja më e re dhe e dashuruara më e vjetër e Europës së Bashkuar.
Ju faleminderit!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: