TIRANE

Në përfundim të punimeve të seancës së parë, Kongresi i PS miratoi deklaratën e përbashkët të kësaj force politike.

“Të vetëdijshëm se opozita në papërgjegjshmëri të plotë politike, ka krijuar një ngërc artificial duke braktisur institucionet kushtetuese të vendit, na lind detyra të përfaqësojmë pa asnjë dallim, masën e të gjithë shqiptarëve që duan një të ardhme më të mirë në vendin e tyre, një vend europian, me shumë oportunitete për gjeneratat që do të vijnë.” -thuhet në deklaratë.

“Partia Socialiste nuk mund të jetë indiferente ndaj veprimeve të dhunshme dhe anti-demokratike të partive opozitare dhe as nuk mund t’i nënshtrohet shantazheve publike jashtë kornizës kushtetuese. Djegia e mandateve nga një grup i deputetëve opozitarë është një akt i pashembullt kundër parimeve të demokracisë dhe parlamentarizmit, por edhe braktisje e përgjegjshmërisë politike, kushtetuese dhe institucionale ndaj vendit dhe qytetarëve. Braktisja e Kuvendit dhe dhuna sistematike ndaj rendit institucional në Shqipëri është një goditje ndaj interesave afatgjatë të Shqipërisë, impaktojnë negativisht imazhin e vendit, minojnë procesin e reformave dhe procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.” Vijon më tej deklarata e përbashkët e socialistëve.

Deklarata e plotë e kongresit të PS:

Sot në Kongresin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, vijmë me bindjen e përforcuar se jemi e vetmja forcë politike që mund të qeverisë vendin duke garantuar një ekonomi të qëndrueshme, rritje të mirëqenies së qytetarëve, punësim, shërbime publike më të mira dhe të aksesueshme për të gjithë, drejtësi sociale dhe integrim në familjen e përbashkët Europiane.

Të vetëdijshëm se opozita në papërgjegjshmëri të plotë politike, ka krijuar një ngërc artificial duke braktisur institucionet kushtetuese të vendit, na lind detyra të përfaqësojmë pa asnjë dallim, masën e të gjithë shqiptarëve që duan një të ardhme më të mirë në vendin e tyre, një vend europian, me shumë oportunitete për gjeneratat që do të vijnë.

Partia Socialiste në këto 5 vite e gjysëm është krenare për arritjet e saj në qeverisje dhe njësoj e vetëdijshme për sfidat në vazhdim. Shtetformimi dhe rikthimi i ligjshmërisë, riformatimi dhe fuqizimi i institucioneve, transformimi radikal i sistemit të drejtësisë përmes një reforme tërësore që vazhdon, reformimi i sistemit arsimor, përmirësimi i shërbimit shëndetësor dhe i shërbimeve pa pagesë, rritja ekonomike dhe mirëmenaxhimi i financave publike, rritja e punësimit, mbështetja sociale, mbështetja e fermerëve, përmirësimi i klimës së biznesit, bashkëqeverisja me njerëzit për përmirësimin e vazhdueshëm të administratës, kanë qenë kryefjala e çdo përpjekje të qeverisë për një Shqipëri më të mirë, për Shqipërinë që duam.

Tashmë në gjysmën e mandatit të dytë qeverisës, ka ardhur koha të bëjmë një bilanc realist të të gjitha premtimeve tona elektorale ku falë eksperiences së sukseshme qeverisëse, angazhimit dhe përgjegjshmërisë kemi siguruar:

Rritje ekonomike mbi 4% në 2018, niveli më i ulët historik i papunësisë 12.3%, mirëmenaxhim të financave publike, reduktim të borxhit publik, rritje e të ardhurave në 27% të PBB, investime të huaja direkte për tre vite rradhazi në nivelin rekord 1 miliardë dollarë, rritje të konsumit, rritje dy shifrore te eksporteve, rritje dy-shifrore të turizmit dhe rreth 6 milionë vizitorë në 2018.

Falë politikës së taksimit të ndershëm, përmes taksës progresive 97% e shqiptarëve dhe mbi 91% e bizneseve në Shqipëri kanë përfituar ulje të drejtpërdrejtë të barrës fiskale.

Të ardhurat neto të disponueshme të familjeve shqiptare janë rritur duke u shoqëruar me rritje të konsumit dhe mirëqënies. Përfitimet më të mëdha i kanë ndjerë familjet me të ardhura të ulëta, shtresat vulnerabël dhe të margjinalizuara të shoqërisë sonë si rezultat i uljes së varfërisë dhe pabarazisë sociale që në 2013 kishin arritur kulmin.

Të dedikuar për një politikë ndërtuese për Shqipërinë, refuzojmë me vendosmëri politikën destruktive dhe gjuhën e urrejtjes në favor të interesave thellësisht të ngushta personale, por në kundërshtim me interesat madhore të vendit. Shqipëria është një vend me vokacion europian dhe rruga jonë e vetme është Europa.

Tashmë në gjysmën e mandatit të dytë dhe në prag të zgjedhjeve lokale 2019, të tjera sfida të rëndësishme na presin, me qytetarët dhe për qytetarët e këtij vendi. Kemi bindjen që shqiptarët do të dinë sërish të zgjedhin me maturi dhe pëgjegjshmëri, në favor të stabilitetit, sigurisë, drejtësisë, mirëqenies, punësimit dhe një të ardhmeje më të mirë për vendin tonë.

Partia Socialiste është e vendosur për të çuar përpara Reformën Zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR të tre zgjedhjeve të fundit, duke u bazuar në tre shtylla kryesore (i) Depolitizimi i administratës zgjedhore; (ii) Sigurimi i votës për shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut dhe (iii) Aplikimi i teknologjisë për votimin dhe numërimin elektronik.

Produkti paraprak i shkruar nga ekspertët më të mirë vendas me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi para miratimit të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, në përmbushje të detyrimeve që burojnë prej procesit të integrimit europian.

Partia Socialiste nuk mund të jetë indiferente ndaj veprimeve të dhunshme dhe anti-demokratike të partive opozitare dhe as nuk mund t’i nënshtrohet shantazheve publike jashtë kornizës kushtetuese. Djegia e mandateve nga një grup i deputetëve opozitarë është një akt i pashembullt kundër parimeve të demokracisë dhe parlamentarizmit, por edhe braktisje e përgjegjshmërisë politike, kushtetuese dhe institucionale ndaj vendit dhe qytetarëve. Braktisja e Kuvendit dhe dhuna sistematike ndaj rendit institucional në Shqipëri është një goditje ndaj interesave afatgjatë të Shqipërisë, impaktojnë negativisht imazhin e vendit, minojnë procesin e reformave dhe procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Partia Socialiste e Shqipërisë i bën thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të vijojnë të mbeten të angazhuar e përkushtuar në garantimin dhe ruajtjen e rendit demokratik dhe avancimin e agjendës europiane të Shqipërisë.

Partia Socialiste është legjitimuar si forcë qeverisëse përmes votës së qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e vitit 2017. Vullneti i qytetarëve i shprehur përmes votës, legjitimiteti i qeverisë dhe afatet kushtetuese elektorale, nuk mund të deformohen me instrumente anti-kushtetues dhe akte anti-demokratike të pakicës jashtë parlamentit. Dialogu parlamentar, politik e shoqëror mbetet e vetmja zgjidhje dhe duhet të jetë i vetmi instrument i promovuar nga të gjithë forcat politike, në favor të vendit dhe qytetarëve shqiptarë.

Ky Kongres vendos piketat për përgatitjen e Partisë Socialiste për zgjedhjet lokale të Qershorit 2019 dhe zgjedhjet e përgjithshme të Qershorit 2021.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb