Kongresmeni republikan Dana Rohrabacher, kryesues i Komitetit për Politikë të Jashtme në Europë, ka komentuar për herë të parë deklaratat e kryeministrit shqiptar, Edi Rama kundër Donald Trump gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Rohrabacher shprehet se tashmë, kryeministri shqiptar duhet të pranojë faktin që Trump është President dhe të gjenden mënyrat se si dy vendet mund të bashkëpunojnë.

“Trump ka fituar. Ai është President. Tani është koha që të bëhen marrëveshje dhe të mundohemi të shohim se cila është gjëja më e mirë që mund të bëjmë apo përmbushim me këtë njeri si President. Jo të përgjigjemi në mënyrë armiqësore, duke thënë se ne nuk na pëlqen ai apo ai nuk na pëlqen ne. Por të gjejmë diçka që ne mund ta bëjmë dhe që Trump do që ta bëjë dhe le të punojmë të gjithë për këtë”, – është shprehur Rohrabacher në një intervistë ekskluzive për “Vizion Plus”.
rohrbacher
DEKLARATAT E RAMËS PËR TRUMP NË MARS 2016
Në një intervistë për gazetarin Mustafa Nano në mars 2016 nuk kanë munguar fjalët fyese të kryeministrit Rama ndaj presidentit tashmë të zgjedhur amerikan, Donald Trump. Por gjithsesi, kryeministri tha se nëse Trump zgjidhet, ‘tipa si ai i kapërcejnë këto gjëra të vogla’.

Edi Rama: Unë flas për një gjë që është e qartë edhe për vetë amerikanët, nuk jam unë që e them. Në qoftë se bëhet President i Amerikës, është fatkeqësi e amerikanëve jo fatkeqësi e imja. Juve ju referuat kolegëve tuaj në median europiane, por t’ju referohemi kolegëve tuaj në median amerikane thonë shumë më tepër se kaq për këtë qasje të një kandidati që është një turp i madh për Amerikën dhe pikëpyetje e madhe për të gjithë qytetërimin tonë.
Mustafa Nano: Me shumë gjasa do bëhet president i Amerikës…
Edi Rama: Nëqoftëse bëhet, fatkeqësi e amerikanëve, jo fatkeqësi e imja.
Mustafa Nano: Marrëdhëniet Edi Rama me Shtëpinë e Bardhë do jenë marrëdhënie të vështira?
Edi Rama: Tipa si ai i kapërcejnë këto gjëra të vogla. Donald Trump është një biznesmen që vjen në fushatën amerikane pas një studimi të tregut dhe kërkon të ‘blejë’ të gjitha ato pjesë të kapitalit njerëzor që ka tregu me çdo çmim. Nëse duhet të thotë që të gjithë myslimanët janë terroristë, ai e thotë. Mirëpo kjo rrezikon të alienojë shumë njerëz që nuk u ka shkuar mendja në botë se mund të simpatizohen me terroristët. Njeriut nuk i bën përshtypje lëkura e vet nëse është e bardhë apo e zezë për sa kohë dikush tjetër nuk i thotë ‘lëkura jote është e zezë. Në atë moment identiteti fizik në këtë rast kthehet në një fuqi vetëmbrojtëse që mund të shkaktojë konflikt.
rama trump1
ÇFARË THA RAMA TEK ZONA E DEBATIT
Fjalët e tij për Trump, Rama i ka përsëritur edhe në muajin prill 2016 në emsionin Zona e Debatit në “Klan Kosova”.
“Unë e kam thënë hapur atë që mendoj për Donald Trump dhe nuk e kam fare problem që ta përsëris, as në shqip dhe as në anglisht. Donald Trump është kërcënim për Amerikën dhe është kërcënim edhe për marrëdhëniet shqiptaro­amerikane”.

DEKLARATAT E RAMËS KUNDËR TRUMP NË CNN
Në një intervistë të dhënë në prill 2016 për gazetarin e njohur të CNN, Richard Quest, kryeministri Rama tha se “deklaratat që dëgjohen kohët e fundit nga Trump janë frikësuese”.
Por në këtë pikë ka ndërhyrë, gazetari i njohur duke i tërhequr vëmendjen se kishte dalë nga gjuha e zakonshme diplomatike duke folur për zgjedhjet e një vendi tjetër.
Rama u përgjigj se nuk po fliste për zgjedhjet e një vendi tjetër, por sipas tij ishte duke përsëritur atë që kanë thënë edhe zyrtarë të tjerë të Bashkimit Europoian.
Quest e pyeti se nëse Trump do të fitojë nominimin dhe më pas edhe garën për Shtëpinë e Bardhë, a do ndihej i frikësuar Edi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se zgjedhja e Trump do të ishte një kërcënim së pari për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
(BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb