Kongresmeni demokrat Seth Moulton ka thënë se presidenti amerikan Joe Biden nuk e njohu atë në përkujtimet e Ditës D në Normandi (Francë) këtë vit.

Moulton nga Massachusettsi ka thënë se u takua me Bidenin në rajonin verior të Francës, ku liderët botërorë u mblodhën në qershor për të shënuar 80-vjetorin e zbarkimit të trupave aleate.

“Për herë të parë, Joe nuk dukej se më njohu. Sigurisht, kjo mund të ndodhë me kalimin e moshës, por teksa pashë debatin katastrofik disa javë më parë, më duhet të pranoj se ajo që pashë në Normandi ishte pjesë e një problemi më të thellë. Ishte humbje dërrmuese në debat dhe jo sepse personi për të cilin më intereson kishte natë të vështirë, por sepse gjithçka mbështetet në aftësinë e Bidenit për ta mposhtur Donald Trumpin në nëntor”, ka shkruar Moulton në “Boston Globe” të premten.

Në shkrimin e tij, Moulton iu bashkua korit të politikanëve demokratë që bëjnë thirrje për Bidenin të largohet nga gara për president.

“Amerika ka nevojë që ai të fitojë dhe, si shumica e amerikanëve, nuk kam më besim se ai mundet. Presidenti duhet të largohet nga gara”, ka shkruar ai.

Bideni deri më tash ka hedhur poshtë thirrjet për t’u tërhequr nga gara për president. Zgjedhjet në SHBA mbahen më 5 nëntor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: