PRISHTINE- Kongresmeni Eliot Engel, bashkëkryesues i Komisionit për Punë të Jashtme i Kongresit Amerikan dhe miku i dëshmuar i Kosovës është personaliteti i radhës me famë dhe ndikim botëror që ka reaguar ndaj shkrimit të gazetarit Chuck Sudetic, të botuar në portalin “politico.eu”. Ky i fundit akuzoi zëvendëskryeministrin e parë të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për bllokim të qëllimshëm të themelimit të Gjykatës Speciale.

Kongresmeni Engel, në reagimin e botuar në po të njëjtin portal, e ka quajtur Sudetic-in shpifës.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë të kongresmenit Eliot Engel:
Para pak kohësh u ktheva nga Kosova, ku u takova me udhëheqësit e vendit. Ne diskutuam konsolidimin e demokracisë në Kosovë dhe se si Freedom House i ka dhënë shtetit një vlerësim të avancuar si “demokraci parlamentare”. Ne reflektuam mbi përkrahjen e madhe të popullit të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për dëshirën e tyre të madhe dhe të palëkundur për t’iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Dhe ne kemi rënë dakord se, edhe pse është mjaft e vështirë, Kosova duhet të themelojë Gjykatën Speciale në mënyrë që vendi t’i jap fund akuzave nga e kaluara.
Ajo që pashë ishte një shtet në rrugë drejt një demokracie dhe më të forte, një lirie edhe më të madhe, dhe një rritje e potencialit ekonomik. Kosova ka bërë hapa të mëdhenj dhe udhëheqësit e saj po punojnë me përkushtim të madh për të shëruar plagët e vjetra, për të ndërtuar paqe me fqinjët e tyre dhe për të hapëruar së më fuqishëm drejt së ardhmes.

Ky realitet në terren qëndron në kontrast të madh dhe të pakontestueshëm me shkrimin e Chuck Sudetic (“Huliganët që e udhëheqin Kosovën,” të botuar më 21 korrik 2015).
Ky shkrim, i mbështetur në kërcënime e shantazhime anonime, thashetheme të pabaza, dhe gënjeshtra të qarta dhe të ndyta, përbën një përpjekje transparente për t’i njollosur dhe diskredituar disa liderë kosovarë dhe për të minuar shtetin e ri, i cili po punon drejt forcimit të sundimit të së drejtës. Shumë nga akuzat në këtë artikull, të tilla si trafikimi i drogës, janë demaskuar për të satën here, madje edhe nga CIA në raportin publik të vitit 2000. Drejtësia do të vihet në vend në gjykata, e jo përmes fushatave të shpifjeve.
Ne amerikanët e dimë nga vet historia jonë se ndërtimi i demokracisë ishte diçka e vështirë që kërkon një punë me përkushtim të madh. Kosova po i tejkalon këto sfida tani, edhe pse zërat e mbërthyer nga e shkuara po punojnë për të minuar progresin e Kosovës. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara dhe kampionët e lirisë në Evropë dhe gjetiu duhet të vazhdojnë të mbështesin Kosovën. Derisa shpifësit si Chuck Sudetic përsërisin të njëjtat pretendime të pabazuara, parapëlqej të punoj krah për krah me qytetarët e Kosovës dhe udhëheqësit e zgjedhur të tyre drejt një të ardhme edhe më të ndritshme.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: