Shtetet e bashkuara tërheqin sërish vëmendjen për zhvillimet politike në Kosove. Përmes kongresmenit Eliot Engel, SHBA deklaron se ‘veprimet e opozitës po minojnë demokracinë’. “Për fat të keq,- shprehet ai,- këto mosmarrëveshje kanë çuar në tejkalimin e kufijve të debatit të gjallë demokratik. Hedhja e vezëve ndaj ministrave, hedhja e gazit lotsjellës në Parlament, ose djegia e ndërtesës së Qeverisë, nuk përkojnë me lirinë e shprehjes. Ato nuk janë pjesë e të drejtave të garantuara kushtetuese të një opozite. Dhe, fatkeqësisht, këto gjeste po minojnë demokracinë e Kosovës brenda dhe përkrahjen e saj nga jashtë”, -vijon deklarata e Engel, e publikuar në Huffington Post.

“Ndërsa Kosova po hyn në vitin e saj të nëntë, unë iu bëj thirrje udhëheqësve të Kosovës që të lëvizin nga konfrontimi në negociata, ndërkaq popullin e Kosovës, në mënyrën më të fuqishme të mundshme, e thërras që ta kundërshtojë dhunën, ta përqafojë dialogun paqësor dhe t’i aplikojë parimet e demokracisë mbi të cilat Republika juaj është ndërtuar”-me këtë mesazh vijon shkrimin e tij kongresmeni Engel, duke ritheksuar se demokracia nuk duhet shkelur për qëllime politike dhe se qeveria duhet t’i shërbejë popullit të vetë.

“Edhe pse pesë vendet e BE-së kanë ngecur në njohjen e saj, Kosova ka nënshkruar një marrëveshje të re me Brukselin-MSA-në, që nënkupton hapin e parë të anëtarësimit eventual në BE”-shprehet kongresmeni amerikan, duke shtuar se shpreson që BE-ja të liberalizojë vizat për Kosovën gjatë këtij viti. “Ky është vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë drejt anëtarësimit të plotë në një Evropë të plotë dhe të lirë, por Kosova tashmë është qartazi duke ecur kësaj rruge”,-përfundon deklarata e zyrtarit të lartë amerikan.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: