Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar qytetarët me rastin e festës së  Kurban Bajramit. Në postimin e tij, Konjufca ka theksuar rëndësinë e sakrificës dhe solidaritetit, duke rikujtuar vlerat themelore që kjo festë mbart për të gjithë shoqërinë.

“Sakrificë dhe solidaritet, këto na i sjell ndërmend Kurban Bajrami si falënderim për Krijuesin,” ka shkruar Konjufca në postimin e tij.

Ai ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për këtë festë të bekuar, duke dëshiruar që në këtë ditë të shenjtë dhe përgjithnjë, në shpirtin e secilit të frymojë mirësia, përkujdesja, mirënjohja për çka kemi dhe zemërgjerësia ndaj atyre që nuk kanë.

Ai ka theksuar se kjo ditë na tregon se shtrirja e dorës ndaj atyre më në nevojë mes nesh, e zgjeron shpirtin dhe e ndihmon atë të gjejë vetveten përmes përfshirjes barazitare, përkundër përjashtimit.

“Gëzim e shëndet, paqe, mirësi e begati në familjet tuaja,” ka përfunduar Konjufca mesazhin e tij, duke përcjellë urime të përzemërta për festën e Kurban Bajramit.

Për shumë njerëz, Kurban Bajrami është një moment për të ndarë jo vetëm të mirat materiale, por edhe dashurinë dhe përkujdesjen ndaj familjes, miqve dhe fqinjëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: