Nga: MARIGLEN MERTIRI*

TIRANË- Hije dyshimi për procesin e përzgjedhjes se drejtorëve të shkollave në Rrethin e Tiranës. Një prej kandidatëve për drejtor në shkollën e Farkës flet për kandidat të paravendosur. Metush Skeja akuzon komisionin e vlerësimit dhe drejtoreshën e Drejtorisë Arsimore Tirana Qark se nuk e vlerësuan drejtë punën e tij. Në fazën e parë ai udhëhoqi listen me gati 20 pikë diferencë me të dytin, por pas rivlerësimit të kërkuar, Skeja kaloi në vendin e dytë. Ai akuzon se komisioni hapi dosjen dhe i uli pikët me pa të drejtë, pasi rivleresim bëhet për pretenduesin. Ndërsa thekson se Xhelal Qoku që është emeruar aktualisht drejtor, nuk ka kualifikimin e duhur.

“Në fillim diferenca, kam qenë 273 pikë dhe ai ka qenë rreth 20 pikë poshtë meje, në rastin e dytë ai ka kaluar rreth 280 pikë dhe unë kam marrë vetëm 120 pikë, ku vetëm me çertifikatat që kam marrë nga qendrat e licensuara të Ministrisë së Arsimit unë i kam 160 pikë pa përfshirë diplomat që kam. Është ankimuar drejtori që ishte i komanduar dhe që ishte i dyti me pikë dhe u hap dosja ime që është në kundërshtim me udhëzimin 57 të ministres së Arsimit. Komisioni e ka shkelur me të dyja këmbët urdhëresën 57 të ministres së Arsimit. Drejtoria e Arsimit nuk e ka vlerësuar drejtë punën time”, tha Metush Skeja.

Drejtoresha arsimore për shkollat e komunave të Tiranës pranon gabimin teknik që komisioni ka bërë në vlerësimin e parë. Por i mbetet qëndrimit se kandidati që është fitues ka kualifikimin e duhur.

“Ka rezultuar që komisioni herën e parë për gabimet e veta njerëzore, sepse kjo është praktikë që bëhet për herë të parë në arsim, ka gjykuar që ka pasur probleme në renditje pasi ka bërë një mbledhje pikësh të gabuara. Këto komisione janë të pavaruar nga drejtoria arsimore. Këto komisione kanë të drejtën e vendimarrjes deri në fazën që parashikon ligji, faza tjetër është faza në të cilën unë ndërhyja me intervistë. Është një kandidat i përshatshëm dhe i duhur për drejtor, nuk qendron pretendimi i zotit Skeja”, tha Eglantina Metani, drejtoresha e DAR Tirana Qark.

Për Metush Skejën, drejtori aktual ka qenë i komanduar në atë shkollë dhe ky fakt e ka favorizuar atë para komisionit që përbëhet nga mësues të shkollës, prindër dhe përfaqsues të pushtetit vendor.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: