Ndërsa kanë mbetur vetëm dy muaj nga përfundimi i mandatit të Presidentit Joe Biden, Shtetet e Bashkuara po rrisin mbështetjen financiare, ushtarake dhe diplomatike ndaj përpjekjeve të Kievit për t’u mbrojtur kundër agresionit rus.

Në takimin e nivelit të lartë të G20-ës në Rio de Zhaneiro të Brazilit, ku po takohen zoti Biden dhe udhëheqësit e 20 ekonomive më të mëdha të botës, zyrtarët amerikanë po bëjnë trysni për një gjuhë “sa më të fortë të mundshme” në mbështetje të Ukrainës, i tha Zërit të Amerikës zëvendës këshilltari i sigurisë kombëtare John Finer gjatë një komunikimi me median të hënën.

Diplomatët perëndimorë kanë ripërtërirë thirrjet për kritika më të forta ndaj Moskës pas sulmit ajror të fundjavës së Rusisë, më i madhi në territorin ukrainas në muajt e fundit. Ata gjithashtu kanë paralajmëruar se Rusia po shton përpjekjet e luftës që mund të kenë një efekt destabilizues përtej Evropës.

Në fillim të këtij muaji, SHBA dhe Ukraina njoftuan se Koreja e Veriut ka dërguar më shumë se 10,000 trupa për të ndihmuar Moskën të rimarrë territorin e marrë nën kontroll nga Ukraina në rajonin Kursk të Rusisë.

Deklarata përfundimtare e përbashkët e udhëheqësve është ende duke u negociuar, por një version paraprak që e ka parë Zëri i Amerikës dhe versione të tjera që qarkullojnë në mediat sociale, sugjerojnë se ajo do të përfshijë vetëm një formulim të përgjithshëm që nënvizon parimet e OKB-së dhe nevojën për të respektuar paqen në Ukrainë dhe Gazë.

Zoti Finer e pranon se gjetja e një konsensusi për konfliktet globale është e pamundur duke pasur parasysh përbërjen e G20-ës. Përveç vendeve të G7 që janë përgjithësisht në një emërues të përbashkët, G20 përfshin edhe Rusinë, Kinën dhe vende në zhvillim.

“Do të shohim se si do të shkojë”, tha ai.

Që nga takimi i nivelit të lartë i G20-ës në vitin 2022 në Bali, i mbajtur muaj pasi filloi agresioni i Moskës ndaj Ukrainës, ky grupimi global është përballur me sfida për të gjetur një përgjigje ndaj konfliktit.

Autorizimi i raketave me rreze të gjatë veprimi

SHBA ka rritur ndihmën ushtarake për Kievin. Po ashtu Uashingtoni po autorizon Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi të dërguara nga Amerika për të goditur në thellësi të Rusisë, sipas njoftimeve të mediave që citojnë zyrtarë që kanë folur në kushte anonimiteti.

Zoti Finer nuk pranoi ta konfirmojë një gjë të tillë, por tha se është “në përputhje” me qasjen e SHBA-së për ta përshtatur përgjigjen e saj me zhvillimet në terren për të “lejuar ukrainasit që të vazhdojnë të mbrojnë territorin dhe sovranitetin e tyre”.

 

/VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb