DURRES- Vangjush Dako, kreu i bashkisë së Durrësit, është mandatuar për herë të tretë në krye të bashkisë numër dy të vendit. Gjatë ditës së sotme është konstituuar edhe këshilli bashkiak në përbërje të cilit janë 51 anëtarë, 16 prej të cilëve të PD, dhe pjesa tjetër të koalicionit të majtë.

Alban Ramohitaj përfaqësues I PS është votuar si kreu i Këshillit Bashkiak, ndërsa biznesmeni Artur Bujari i LSI, është votuar nënkryetar i Këshillit Bashkiak.

Të djathtët në minorancë nuk kanë bërë propozime për kryesinë e Këshillit Bashkiak, dhe as për Këshillin e Qarkut.

Armand Teliti, kryetar i grupit të këshilltarëve demokratë, tha se u përdorën bandat në zgjedhjet e 23 qershorit, dhe për këtë PD nuk i njeh të zgjedhurit e Këshillit, por tha se do të vijojnë të bëjnë opozitën në interes të qytetarëve durrsakë.

Dako tha se në mandatin e tretë, me zbatimin e reformës territoriale, është rritur edhe përgjegjësia, ndaj menaxhimit të territorit dhe të banorëve.

Në këtë mbledhje u votuan edhe 9 anëtarë që do të përfaqësojnë bashkinë e Durrësit në Këshillin e Qarkut, por që të gjithë ishin të majtë, dhe PD nuk mori pjesë në këtë votim.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb