Ekrem Bardha, Konsull nderi i Shqipërisë në Miçigan, u bën thirrje shqiptarëve të vazhdojnë të jenë të bashkuar, ashtu siç treguan të jenë pas tërmetit që goditi Shqipërinë. Veprimtari dhe biznesmeni shqiptaro-amerikan u bëri thirrje shqiptarëve të mos e braktisin vendlindjen megjithë situatën e krijuar. Kolegu Burim Goxhuli bisedoi me zotin Bardha dhe përgatiti këtë material.

Konsulli i nderit i Shqipërisë në Miçigan, Ekrem Bardha, i tha Zërit të Amerikës se atmosfera e krijuar pas goditjes së tërmetit famëkeq që u mori jetën 51 banorëve, solli gjithashtu rastin unik që shqiptarët të forcojnë lidhjet mes tyre.

“Ata që humbën jetën nuk i sjellim më. Por, ata janë shembull dhe janë martirë, përgjithmonë të jetës sonë. Dhe dua që shqiptarët, të bashkohen në kohë të vështira. Është rasti historik, sidomos i politikanëve në Shqipëri, që kanë krijuar një atmosferë negative, ose mund të them një urrejtje që mua më ka mërzitur shumë. Dëshiroj që shqiptarët të bashkohen sepse historikisht shqiptarët kur janë bashkuar, kanë fituar”, tha ai.

Veprimtari dhe biznesmeni bën thirrje që të jepen ndihma për viktimat e tërmetit, pa përmendur shumat që dhurohen. “Kam vënë re që i japim shumë rëndësi, o filani dha kaq, dha një million, 500 mijë, 100 mijë. Të fillojmë të gjithë të bëjmë një kontribut, të kuptojmë që kjo me të vërtetë është një rast tragjik”, tha zoti Bardha.

Sipas zotit Bardha, paratë e grumbulluara edhe mund të keqpërdoren. “Ka dhe besoj se do të ketë probleme. Kur e them problem, dua të them se do të abuzohet me këto para. Këtu duhet të ndërhyjë shteti, duhet të ndërhyjë zoti Kryeministër Edi Rama, dhe të bëjë gjithçka që është e mundur për të patur një kontroll total të menaxhimit të parave”, tha ai.

Para 66 vitesh Ekrem Bardha braktisi Shqipërinë, por jo përgjithmonë. Pas rënies së komunizmit, ai ishte ndër investitorët e parë, në një kohë kur pak kush besonte në demokracinë e re të Ballkanit. “Kur arrita në Shqipëri pas 40 vitesh, e gjeta Shqipërinë sikur ishte Hiroshima, sikur i kishte rënë bomba atomike”, tha zoti Bardha për Zërin e Amerikës. 86-vjeçari thotë se janë politikat jo të favorshme ato që mbajnë larg Shqipërisë investimet e huaja.

“Kanë shkuar seriozisht në Shqipëri për të investuar dhe shembull konkret isha unë. Dhe unë kurrë nuk u kam thënë t’i dekurajoja, përkundrazi i inkurajoja që ata të investonin. Dhe një pjesë investuan, por atë investim e humbën për një kohë të shkurtër”. Ekrem Bardha, si shumë shqiptaro-amerikanë të tjerë, ka ndihmuar në çështjen kombëtare. Në takimet që ka patur me gjashtë presidentë amerikanë, veç mirënjohjes për punën e bërë nga Shtetet e Bashkuara, ai ka ngritur gjithmonë shqetësimet e komunitetit për mbrojtjen e çështjes kombëtare.

“Duhet të jemi krenarë, duhet të jemi mirënjohës. Në shumë raste, më vjen keq ta them por, nuk jemi aq të bindur dhe t’i japim merita Amerikës se çfarë ka bërë për vendin tonë, për Shqipërinë dhe pavarësinë e Kosovës”. Zoti Bardha shprehet i shqetësuar për largimin e madh të të rinjëve nga Shqipëria dhe Kosova, por shton se është në duart e politikanëve që t’i japin fund kësaj dukurie. “Po s’pati zhvillim ekonomik, nuk ka se si shqiptarët të mos largohen të marrin rrugët e mërgimit. Zhdukja e korrupsionit është problem i vetëm, që do t’i jap zgjidhje edhe problemit ekonomik…”

“…E shihni këtë vend këtu, nuk dua ta bëj shembull që shqiptarët të largohen nga Shqipëria se ka Amerika ose Evropa mrekulli. Mrekullia për mua dhe lumturi në jetë është të jesh në Shqipëri, në vendin tonë, që është një vend i bekuar”. Veç këtyre çështjeve, zoti Bardha thotë se shqiptarët nuk duhet të lënë mënjanë çështjen e bashkimit.

“Kam dhe një ëndërr, nuk e di nëse unë do t’a mbërrij ose jo, që Shqipërinë etnike, të mos e harrojmë. Që Shqipëria dhe Kosova një ditë duhet të bashkohen”, përfundon ai. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb