Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në shkollën “Janaq Kilica” për të vijuar takimet këshilluese me prindërit për kufizimin e rrjeteve si TikTok.

Kreu i qeverisë ka theksuar realitetin e ngarkuar në të cilën këto fëmijë, dhe jo vetëm, por edhe të rriturit, jetojnë çdo ditë si shkak i rrjeteve sociale.

“Jo një por disa nga prindërit duke folur për rrjetet sociale ngriti shqetësimin që presioni i jashtëm i këtyre lloj platformave, mbingarkohet në mënyrë të jashtëzakonshme edhe nga platformat mediatike brenda vendit. Nuk e sjell këtë këtu për të folur për mediat por për të kornizuar sfidën që ka sot një familje që ka sot edhe të rriturit që janë prindër përballë këtij presioni që rrit tensionin e konfuzionin edhe e bën më të vështirë të kesh qetësinë që duhet që të merresh me pjesën e më të vegjëlve në familje e shkolla.
Edhe mësuesit janë nën këtë presion, një furtunë e madhe lajmesh shpesh gjysmë të vërteta. Një lum i madh njerëzish që flasin e zihen, një mënyrë komunikimi në mexhilis përmes ekraneve që është shqetësuese, dhe kulmon aty ku normalisht duhet të kishte si minimum një etikë komunikimi që është salla e Kuvendit.
Në gjithë këtë vorbull hyjnë fëmijët që veç të tjerash jetojnë në dy botë komplet paralele, ajo e mediave dhe e klasës-shtëpisë dhe ekraneve të rrjeteve sociale.
Për platformat ne nuk jemi persona, por mallra siç blemë ne në markete me kodet përkatëse, nga kjo vepron edhe algoritmi”,
u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb