Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, i ftuar në studion e News24 ka komentuar konsultimet e Presidentit Bajram Begaj me faktorët politikë për vendosjen e datës së zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.
Shehi zbuloi se çfarë ka diskutuar me Kreun e Shtetit, duke thënë se i ka kërkuar atij të mos vendosë datën 11 maj, por datën 4 maj.
Ai arsyetoi se në datën 9 maj në Shqipëri do të mbahet samiti i ardhshëm i Komunitetit Politik Evropian, ndërsa do të festohet gjithashtu 80-vjetori i fitores mbi nazi-fashizmin.
Sipas tij këto dy evente kanë mundësi për të ndikuar në zgjedhjet që do të mbahen vetëm dy ditë më pas, ndaj edhe i ka kërkuar Begajt që të marrë në konsideratë këtë kërkesë të opozitës.
“Ne mendojmë se data 9 maj që ky do të bëjë një event evropian dhe do mbushë televizionet, kjo i ndikon zgjedhjet. Nuk është thjesht mbledhja e evropianëve.
Në datën 9 është 80-vjetori i fitores mbi nazi-fashizimin dhe ky do e mbushë me pionierë e veteran me flamuj. Shqipëria le ta festojë fitoren, nuk jam dhe kundër mbledhjes së Evropës këtu, por nuk ka pse bëhet dy ditë para zgjedhjeve. Këtë i thashë presidentit. Presidenti ka detyrë ta eliminojë këtë faktor që ne si opozitë mendojmë se ndikojnë në zgjedhje. I thashë që këtë pjesë e ka presidenti në dorë. Nga ato pak gjëra që i kanë lënë në dorë presidentit të Shqipërisë është kjo. Ky duhet ta ushtrojë këtë të drejtë. Nëse e gjykon që është më mirë data 11 maj le ta vendosë, por ne po e ofrojmë këtë. Presidenti nuk eliminon dot influencën e krimit, parave të pista, por këtë mund ta bëjë. Nëse opozita ka një dyshim për këtë punë, mjafton të hiqet ky dyshim. Nuk prish asnjë punë për një javë më përpara. Është e vërtetë që KQZ thotë se ka nevojë për kohë, por një javë nuk ndryshon gjë”, u shpreh ai.