Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur një aktakuzë ndaj tre zyrtarëve të Komunës së Leposaviqit, që u kapën duke konsumuar kokainë. Padia është ngritur kundër S.S. për akuzën e “Blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa D.M. dhe S.M. akuzohen për “Posedimin e paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas prokurorisë, ngjarjet kanë ndodhur në nëntor 2023, kur S.S. e ka ftuar D.M. në një nga zyrat e Komunës së Leposaviqit, ku ata kanë konsumuar kokainë së bashku. Në një rast tjetër, ai i ka ofruar substancë narkotike edhe S.M., që ka konsumuar kokainë përmes hundës në një zyrë të Komunës. Po ashtu, S.S. akuzohet edhe për shpërndarjen e kokainës në një lokal të qytetit, ku ka ofruar substancën për D.M. që po ashtu e ka konsumuar.
Prokuroria ka kërkuar që gjykata të shpallë fajtorë të tre të pandehurit për veprat penale dhe t’i dënojë ata sipas ligjit.