TIRANË- Në kuadër të misionit të NATO-s “Resolute Support Mision”, është nisur për në Kabul, Afganistan, Kontingjenti i Dytë Paqeruajtës i përbërë nga 30 trupa, efektivë të Batalionit të Parë të Këmbësorisë në Vaun e Dejës.

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e pranishme në ceremoninë e organizuar me këtë rast në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, duke iu drejtuar ushtarakëve të këtij Kontingjenti, u shpreh se ushtria shqiptare ishte ndër të parat që iu bashkua Koalicionit Ndërkombëtar që u vendos në Afganistan.

“Ju, oficerë, nënoficerë dhe ushtarë të Batalionit të Parë të Këmbësorisë, po niseni drejt një rajoni të largët, por ku shumë shqiptarë, kolegët tuaj, kanë shkruar historinë e sakrificës, përkushtimit dhe profesionalizmit ushtarak. Që nga viti 2002, ishim ndër të parët që iu bashkuam Koalicionit Ndërkombëtar që u vendos në Afganistan për të luftuar të keqen që vinte nga radikalizmi dhe fundamentalizmi, në kuadër të misionit ISAF”, tha Kodheli.

Më pas ajo bëri një rezyme të shkurtër të këtij kontributi shumë vjeçar që Forcat e Armatosura Shqiptare kanë dhënë përkrah me aleatët dhe partnerët e NATO-s. Në vijim, ministrja Kodheli theksoi se, sot, 13 vjet më vonë, shumë gjëra kanë ndryshuar.

“Misioni në Mbështetje të Rezolutës, tashmë ndihmon ngritjen e kapaciteteve të sigurisë në Afganistan, duke ndihmuar personelin vendas për më shumë ekspertizë dhe profesionalizëm. Ne duhet të mbajmë në këmbë gjithçka kemi ndërtuar në këto vite në Afganistan. Shumë përpjekje janë bërë, shumë jetë njerëzore janë humbur, shumë burime janë harxhuar për të vendosur paqe e siguri në atë vend të largët për nga kilometrat, por të afërt për nga rreziqet që i solli familjes sonë euro-atlantike. Më lejoni të kujtoj me krenari dëshmorin e atdheut, kapiten Feti Vogli, i cili ra si hero në krye të detyrës, duke vënë jetën në shërbim të së mirës së përbashkët. I nderuar qoftë kujtimi i tij!”, – është shprehur ministrja Kodheli.

Po ashtu Kodheli theksoi se qeveria është e vendosur për mbështetje ndaj FA-ve për përmirësimin e kapaciteteve njerëzore dhe teknike.

“Si ministër i Mbrojtjes dëshiroj t’ju siguroj se qeveria është e vendosur t’ju mbështesë në rrugën e përmirësimit të vazhdueshëm të kapaciteteve njerëzore dhe teknike, modernizimin e pajisjeve, si dhe për krijimin e kushteve më të mira infrastrukturore. Ende mbetet shumë për t’u bërë, por është me rëndësi të theksoj se ju keni atë çka nevojitet për të përmbushur misionin e ngarkuar. Ju keni kapacitete të plota operacionale, jeni të stërvitur njësoj si në kushtet e luftës dhe çka është më e rëndësishmja ju keni vullnetin për t’i dalë ballë detyrave tuaja”, ka theksuar ministrja e Mbrojtjes Kodheli.

Në ceremoninë e përcjelljes së Kontingjentit të Dytë Paqeruajtës në Afganistan ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Hidyet Bayraktar, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të FA, familjarë dhe të afërm të paqeruajtësve etj.

30 trupat e Kontingjentit të Dytë Paqeruajtës në kuadër të “Resolute Support Mision” do të shërbejnë për një periudhë 6 mujore në Kabul, Afganistan dhe do të veprojnë në përbërje dhe vartësi të Komandës Rajonale Turke në Kabul.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb