SHKODËR- Policia e Shkodrës ka arrestuar 2 burra për kontrabandë duhani dhe ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për bashkëshorten e një prej të arrestuarve, e cila ka tentuar të fshehë paketat kontrabandë duke i hedhur në oborrin e fqinjës.

Sipas të dhënave zyrtare, sot në kuadër të operacionit të koduar “Trokadero”, u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë” i shtetasve:
Ali Kopliku, 50 vjeç, banues Shkodër.
Arben Lopçi, 52 vjeç, banues në Shkodër.

Ndërsa shtetasja A. L., 40 vjeçe, banuese në Shkodër, po ndiqet në gjendje të lirë.

Ndalimi i këtyre shtetasve, u bë pasi gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Ali Kopliku, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 11 pako duhan i grirë, me mbishkrimin “Sheldija”, si dhe 600 paketa të Markës “Trokadero”, si dhe është kapur në flagrancë duke blerë nga shtetasi Arben Lopçi, 30 paketa cigare “Trokadero”, që i posedonin pa pullë të Ministrisë së Financave.

Po kështu filloi procedimi në gjendje të lirë për veprat penale “Tregtim dhe transportim i mallrave, që janë kontrabandë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga Neni 178-2 e 301, i Kodit Penal, për shtetasen A. L., pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e forcave të policisë, në banesën e saj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 600 paketa cigare, të Markës “Trokadero”, pa pullë të Ministrisë së Financave.

40-vjeçarja ka tentuar fshehjen e 300 paketave cigare, duke i hedhur ne oborrin e fqinjës, me qëllim fshehjen e tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb