Armand Kullau

Emisioni “Vetting” në News24 sjell në këtë episode problematikën dhe lidhjet e firmave importuese të gjedhëve dhe bagëtive të imëta me drejtues të lartë të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë.

Plani për evidentimin e kontrabandës së gjedhëve dhe zbulimin e autorëve është krijuar fillimisht nga zyra e Drejtorisë Veterinare dhe Mbrojtjes së Bimëve Rajonale Elbasan, me urdhër të ish Drejtorit Fatmir Ozuni. Ka qenë një nga veterinerët e caktuar nga ish Drejtori Ozuni, Baki Myrtollari, i cili ka zbuluar dhe ka marrë masa ndaj tregtarëve të importit të kafshëve të gjalla, të cilët sillnin gjedhë, dele dhe dhi të pamatrikulluara nga Greqia dhe Bullgaria.

“Në kontratën e punës në këtë zonë që kam marrë është që të bëjë, identifikimin, matrikullimin dhe çertifikimin e kafshëve që lëvizin në këtë terren. Krahas kësaj detyre me urdhër të drejtorit të Qarkut të Elbasanit, Fatmir Ozuni është që të bëj edhe kontrollin e vijave kufitare, kryesisht të brezit të gjelbër të Qarkut të Korçës.

Ne kemi detyrën parësore dhe kjo më bëri që të punoj me zjarr, me vullnet të fortë të hekurt në luftën kundër kontrabandës së kafshëve që vijnë nga Greqia.”, tha për “Vetting” veterineri Baki Myrtollari.

Megjithatë situata është e rëndë pasi në të paktën dy raste, shërbimi veterinar publik ka zbuluar se gjedhët kanë qenë të infektuara me sëmundjen e Brucelozës, çka hedh dyshimin se kemi të bëjmë me trafikimin e bagëtive që në shtetin fqinj deklarohen si të groposura. Ky trafikim gjedhësh të infektuara tashmë rrezikon edhe një pjesë jo të vogël të bagëtive në të gjithë vendin.

Sipas ekspertit të shërbimit të mjekësisë veterinare, Prof. Xhelil Kolecit, historikisht sëmundja ka qenë e përhapur në pjesën e jugut të Shqipërisë, në kufi me Greqinë dhe Maqedoninë, por tani është e përhapur në të gjithë Shqipërinë.

“Momentalisht kam disa raste në Qarkun e Peshkopisë, të Elbasanit dhe Gramshit.”, tha për “Vetting” Prof. Xhelil Koleci.

Sipas ekspertit Koleci, në rastin e kafshëve të infektuara, si në rastin e Brucelozës, duhen zbatuar procedura strikte për therjen dhe konsumin e mishit, pasi ndryshe ato mund të kthehen në burime të forta infektimi.

“Mishi nga kafshët që rezultojnë pozitive me brucelozë, mishi i tyre jepet me kusht që të zihen mirë, pra nëse gatimi bëhet i mirë, me përpunim të mirë, edhe nëse është e kontaminuar, zierja e bën të sigurtë produktin që vjen nga kafsha.”, deklaroi Koleci për “Vetting”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb