KORÇË

Policia e Korçës ka arrestuar një doganier të Kapshticës për “Shpërdorim detyre” pasi akuzohet se lejoi kalimin e 4 mjeteve me mall të dyshuar kontrabandë, pa ushtruar kontrollin përkatës.

Po kështu mësohet se janë arrestuar dhe 3 shtetas të tjerë si dhe është shpallur në kërkim një tjetër për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Policia njofton zyrtarisht se Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

1. Lulzim Kodra, 59 vjeç, banues në Sovjan Maliq, me detyrë doganier pranë Doganës së Kapshticës.
2. R.Sh., 29 vjeç,
3. K. M., 23 vjeç,
4. P. V., 45 vjeç,

Si edhe u shpall në kërkim shtetasi G.M., 29 vjeç, banues në Bilisht Devoll.
Shtetasit e mësipërm, janë kapur në Bilisht, me mjetet e tyre respektive në të cilat iu gjetën të ngarkuara mallra të dyshuara kontrabandë (fruta të thata) të cilat kanë kaluar nga Pika e Kalimit Kufitar të Kapshticës ku doganieri Lulzim Kodra, dyshohet të ketë shpërdoruar detyrën duke mos zbatuar procedurat e kontrollit të këtyre mjeteve.
Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb