Policia ka arrestuar në pikën e kalimit kufitar të Morinës një shtetas nga Kosova, i dyshuar për kontrabandë ilaçesh, ndërkohë që është proceduar penalisht një tjetër person, pasi nuk deklaroi në kufi shumën prej 13 mijë euro, e cila është mbi kufirin e lejuar të mosdeklarimit.

Policia bëri të ditur se ka sekuestruar sasinë e medikamenteve, por edhe shumën e parave.

“Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Morinë, në hyrje/dalje, të bazuar në analizën e riskut, për të menaxhuar fluksin e lëvizjes dhe për të parandaluar krimet në kufi, u goditën 1 rast i kontrabandimit të ilaçeve dhe 1 rast i mosdeklarimit të të hollave. Për 2 rastet:

-u arrestua në flagrancë shtetasi kosovar F. K., 32 vjeç, banues në Pejë, pasi në çantë iu gjet një sasi ilaçesh që i kishte kontrabanduar nga Kosova, me qëllim shitjen në Shqipëri;

-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. K., 50 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi në çantë iu gjetën rreth 13 000 euro që synonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb