TIRANË- Policia ka vënë në pranga një efektiv policie të Doganës së Morinës si dhe 3 persona të cilët akuzohen për kontrabandë automjetesh. Burime zyrtare bëjnë me dije se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Policisë, Inspektor Arjan Ahmet Sokoli,  45 vjeç, me detyrë ndihmëskontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare në Morinë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Në datë 8 prill 2015, shërbimet e Stacionit të Policisë Kalimash kanë ndaluar 2 automjete, të cilat përdornin të njëjtat targa, vendosur secilën vetëm në pjesën e përparme të mjetit. Ato drejtoheshin nga shtetasit Indrit Koni dhe Denis Koni, pa dokumentacion përkatës.

Pas verifikimeve Sektori kundër Krimit Ekonomiko-Financiar ka arrestuar Indrit Konin, Denis Konin dhe Baftiar Halilin, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të “Kontrabandës me mallra të tjera” dhe “Tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë”.

Nga hetimet e kryera nga SHÇBA u dokumentua me prova ligjore se 3 shtetasit e ndaluar, janë ndihmuar për kryerjen e veprës penale nga punonjësi i Policisë me detyrë nd/kontrollor, Arjan Sokoli. Ai në kundërshtim me ligjin dhe duke keqpërdorur atributet që i jep detyra, ka lejuar kalimin e automjeteve nga Kosova në Shqipëri, nëpërmjet PKK Morinë, duke mos kryer regjistrimin përkatës në sistemin TIMS.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb