Pavarësisht nga pjesëmarrja masive, buja dhe zhurma, as protesta kombëtare “pa zë” e PD-së e 7 tetorit nuk prodhoi ndonjë të re dhe premtuese, madje ishte larg pritshmërive dhe pa jehonë reale. Natyrisht ajo tregoi se opozita gëzon mbështetje jo të vogël, por ama vetëm brenda “gardheve” të saj.
Ndërkohë, qeveria teknike duket tejet larg dhe kështu si po shkojnë punët e pamundur; se ajo nuk vjen me një apo disa protesta, as me mikro-grumbullime të përditshme te “Rruga e shpresës”, me molotovë te Bashkia, apo me deputetë që shkatërrojnë karriget dhe përplasen me punonjësit e Gardës te Kuvendi! As me grumbullime në Strasburg dhe Bruksel, u ka ikur koha këtyre formave, nuk prodhojnë gjë! Te keqen opozita ta kërkojë dhe luftojë këtu brenda, përpara se ta kërkojë jashtë! Pastaj, si nuk po e kupton ende opozita heshtjen dhe indiferencën e faktorit ndërkombëtar ndaj tyre dhe në Tiranë? Veç kësaj, krijimi i frymës së madhe të munguar të ndryshimit kërkon punë dhe reforma brenda Partisë që ajo të shtrihet jashtë sinoreve partiake; që protestat të masivizohen çdo ditë dhe javë, çka as po shihet dhe as po dëgjohet!
Tani të gjitha shpresat për ndryshim janë te zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, për të cilat opozita ka filluar përgatitjet, edhe pse me vonesë dhe hapa pas shumicës. Por këtu ajo shfaq një paradoks të madh; nga njëra anë paralajmëron se me këtë regjim është e pamundur të shkohet në zgjedhje, ndaj kërkon qeveri teknike si ”shkopin magjik” por nga ana tjetër premton “fitore fantastike” siç ka bërë vazhdimisht në këto 11 vite. Edhe pse askush nuk kërkon diçka të tillë nga opozita, por thjesht të fitojë shumicën në Kuvend me një koalicion bindës dhe aq!
Në propagandën euforike të PD-së po theksohet rëndësia dhe misioni i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, duke i krahasuar ato me ato të 22 marsit 1992.
Pikërisht këtu lind kontradikta e dytë e madhe për opozitën, ç’ka ia ul dhe më tej besueshmërinë publike. Sepse, siç do të tregojmë më poshtë, vërtet zgjedhjet në vitin 2025 mund të jenë po aq të rëndësishme sa 32-33 vite më parë, por kujdes se dhe gjendja me sfidat opozitare kundrejt shumicës së atëhershme dhe të sotme krahasuar me vitin 1992 është vërtet pak të thuhet se janë “si nata me ditën”!
Për kujtesë, atëhere PD-ja në krye të opozitës kishte me vehte pjesën dërmuese të popullsisë, sindikatat, studentët, rininë, ish të burgosurit dhe të përndjekurit politikë, ish pronarët, artistët, punëtorët dhe disi më pak fshatin. Opozita sapo kishte lindur, me program dhe liderë të rinj, me grada shkencore dhe me besueshmëri të lartë; ndaj u përkrahën në mënyrë plebishitare me moton “boll 45 vjet me të majtën komuniste lindore, tani le të provojmë të djathtën perendimore”!
Ndërkohë, krejt ndryshe nga sot, rregjimi i atëhershëm ishte katandisur si mos më keq, kishte rënë Muri i Berlinit, ishte ekzekutuar Çaushesku, kishin rënë rregjimet lindore, me përjashtim të Tiranës. Policia ishte e dobët, gjendja ekonomike dhe sociale ishte vaj medet. Kudo sundonte kërkesa për ndryshim në favor të opozitës.
Veç sa sipër, vendimtar për misionin e opozitës ishte faktori ndërkombëtar, sidomos e majta dhe e djathta europiane dhe amerikane. Rregjimi i atëhershëm kishte kërkuar “nga halli” dhe si “kamardare shpëtimi” anëtarësimin në OSBE, KiE, vendosjen e marrëdhënieve me BE-në, SHBA-të, Britaninë e Madhe, etj. Mirëpo, ai ndeshej me kushtet e panegociueshme të Perëndimit dhe të opozitës: vendosja e pluralizmit politik, ekonomisë së tregut, liritë dhe të drejtat themelore, duke filluar nga liria e besimit fetar dhe lirimi i të gjithë të burgosurve politikë.
Kjo u pa qartë qysh më 15 mars 1991, në ceremoninë e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në në Departamentin e Shtetit në Uashington, krahas ministrit të jashtëm Muhamet Kapllani ishin dhe liderët e PD-së, Berisha dhe i ndjeri Pashko, të cilët në perendim priteshin si heronj!
Gjithashtu PD-ja atëhere përfitoi dhe nga një PS anemike; e rrudhur kudo në numë dhe përballë trysnisë së madhe nga brenda dhe nga jashtë për t’u distancuar nga Enver Hoxha, për të ndryshuar programin dhe me pak lidhje me partitë simotra.
Ndërsa sot shohim me keqardhje se gjendja e PD-së është më e zymta për të!
Brenda saj, e përçarë, e dobësuar, me besueshmëri politike të gërryer, për shkak sidomos të dështimeve dhe gafave të rënda politike të gati 10 viteve të fundit të cilat kulmuan me djegjen e mandateve parlamentare dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore.
Diçka që nuk ka ndodhur as në periudhën e Hitlerit me deputetët opozitarë të cilët ndiqeshin, burgoseshin, pushkatoheshin, por nuk largoheshin nga Reichstagu. As opozitarët e shtypur në Venezuela nuk kanë djegur mandatet!
Dhe në vitet e fundit, lidershipi i saj ka abuzuar si asnjëherë me elektoratin e saj besnik, duke i stërlodhur simpatizantët në mitingje të nevojshme por pa frymë, pa përmbajtje, pa një qëllim, pa forcë tërheqëse dhe kryesorja pa jehonë dhe vijueshmëri nëpër qarqe dhe rrethe.
Me dështimin e turpshëm të Çadrave, me kriza të shumta, me ciklimin e pak emrave dhe figurave të reja, kryesisht me denoncime dhe demaskime të qeverisë, pa organizim të brendshëm funksional, pa ide krijuese si më 2005 me KOP-in, dhe vetëm me 6 bashki të vogla fituese.
Me shtrirje minimale te të rinjtë, studentët, artistët, sportistët, kur shumica ”po bën namin” Mirëpo aventura të tilla të padëgjuara politike kanë një kosto tejet të lartë dhe pasoja të rënda të cilat PD-ja do të vazhdojë t’i ndjejë për një kohë të gjatë. Ndërsa kundërshtarët e saj, siç i thonë fjalës, ” kanë gjetur shesh dhe po bëjnë përshesh”!
Ndërkohë, krejt ndryshe nga viti 1992, opozita përballet me një shumicë “të koracuar” si asnjëherë më parë, të ashpër, që mbas 12 vitesh në pushtet ka në dorë pothuajse gjithçka, median, drejtësinë, administratën publike, pothuajse gjithë pushtetin lokal, mijra patronazhistë të veshur dhe me pushtet e të pranishëm kudo, pothuajse të gjitha figurat e artit, sportit dhe shumë të tjerë nga diaspora.
Po ashtu jashtë vendit, shumica dhe qeveria socialiste kanë lidhje shumë të forta realpolitike me SHBA-të, Brukselin, si ish kryesuese e OSBE-së, anëtare e përkohshme e KS të OKB-së, mikpritëse e disa samiteve të BE-së, etj.
Duke akomoduar qoftë dhe simbolikisht disa nevoja të ngutshme gjeopolitike të vendeve aleate si në rastin e SHBA-ve, Italisë, BE-së, etj; edhe pse me shumë probleme, afera dhe skandale, me zvetënim të vlerave demokratike.
Por që anashkalohen nga ndërkombëtarët; sepse krejt ndryshe nga vitet 90 e më vonë, në kushtet e krizave dhe konflikteve të shumta e plot rreziqe, pavarësisht se çthuhet, interesat dhe nevojat gjeopolitike për aleatët kanë dalë mbi vlerat dhe parimet demokratike. Duke lënë në harresë në mënyrë të pafalshme opozitën në Tiranë, në Beograd dhe gjetkë.
Krejt e kundërta ngjet me PD-në ku goditjen më të rëndë e pësoi në Maj të vitit 2021 me shpalljen e Berishës “non – grata“. Tani, mund të flitet shumë se sa e drejtë dhe e justifikueshme ishte kjo masë dhe mënyra si u veprua jo pa dyshime.
Por, e keqja u bë dhe fakti mbetet kokëfortë, duke dëmtuar seriozisht PD-në!
Ja pse sot PD-ja po vuan nga mungesa e lidhjeve funksionale me partitë e djathta, pa mesazhe dhe mbështetje prej tyre, por jo se ato nuk njohin gjendjen te ne!
Mendoni kur as e djathta europiane nuk e njeh dhe as pranon të bisedojë me të e sidomos Berishën, as ish aleatët e saj tradicionalë, ”Forca Italia” dhe CDU-ja gjermane. Dhe ndonjë eurodeputet i pensionuar, megjithë respektin, atë nuk e njeh më njeri as në rradhët e tyre, ndërsa një ish zv.president polak i Europarlamentit u arrestua bashkë me gruan për korrupsion sapo u kthye nga takimi me Berishën.
Sa për atë se demek është populli që zgjedh deputetët dhe jo ndërkombëtarët, këto janë slogane që nuk “pijnë më ujë“. Për ironi të fatit, janë vetë liderët e PD-së që kanë ”kontribuar me sukses“ qysh në vitet 90 për krijimin e kësaj psikoze.
Ndaj, të mos gënjejmë vehten, teorikisht dhe sikur një shumicë do të votonte për rikthimin e PD-së në pushtet, pa mbështetjen perendimore ajo qeverisje do të ishte jetëshkurtër. Ndonëse është tejet e vështirë të fitosh kështu, se shqiptarët, kur shohin që ”Amerika dhe Europa nuk ta var” atëhere përse të votojmë për PD-në?
Në këto rrethana vërtet të zymta për opozitën shqiptare dhe sidomos PD-në, cila do të ishte rrugëdalja më e mirë e mundshme, ndoshta me kosto të lartë sot, por me shumë përfitime mot? Kjo u takon strukturave dhe forumeve të PD-së, edhe pse tani është disi vonë. Si brenda vendit dhe jashtë duhej të ishte punuar me kohë çdo ditë “derë më derë“ dhe jo me fushata të përcipta sipas parimit “një herë në mot del e kullot“ Deputetë të paktë të PD-së që kanë zhvilluar takime të veçanta në Berlin, Bruksel, Uashington, Romë dhe gjetkë me siguri kanë marrë “me lezet” sugjerime të dobishme nga kolegët e tyre europianë, sidomos lidhur me qëndrimin dhe sjelljen politike ndaj Berishës, por mesa duket nuk janë në gjendje t’i zbatojnë. Të jemi realistë, aleatët e saj janë ftohur sepse presin distancimin prej Berishës, si hapi i parë shpresëdhënës për të mbështetur PD-në. Ky problem do zgjidhur përpara se PD-ja të ndërmarrë fushata lobimi në Perëndim, siç është sugjeruar me të drejtë, ndryshe vështirë t’ua hapë derën dikush në Europë dhe gjetkë. As të mos gënjehen me ndonjë diplomat që kujtohet dhe shkon te PD-ja në nivele të ulta!
Mirëpo çështja është se çdo distancim nga Berisha, siç bëri gabimisht me ngut Basha, mund ta rrezikojë PD-në nga brenda dhe sërish ajo do të dilte e humbur, sepse zhvillimet e kaluara brenda saj nuk kanë mundësuar alternativë tjetër konsensuale lidershipi.
Në këto kushte, mbase mund të ishte më mirë për PD-në që të humbasë një palë zgjedhje pa Berishën në krye, por ama kështu do të kishte shanse për fitore më 2029, me elementë dhe ide të reja të cilat nuk mungojnë në rradhët e PD-së, PL-së dhe opozitës në përgjithësi, me besueshmëri shumë më të madhe.
Ndërsa po të vijojë si deri tani, PD-ja rrezikon të vegjetojë duke u kthyer në një “opozitë të ngrirë” madje me një grup parlamentar dhe më të vogël dhe me më pak shanse për të riardhur në pushtet. Ca më keq akoma, ajo rrezikon të shkërmoqet dhe të mbetemi pa opozitë, veç këtë radhë për fajin dhe me dashjen e saj, duke prekur dhe pluralizmin demokratik, i cili nuk funksionon dot pa një opozitë të fortë.
Përfundimisht, PD kështu siç është tani, vështirë se mund të krijojë premisën e parë themelore për një fitore të mundshme në zgjedhjet e vitit 2025 – frymën e ndryshimit. Vetëm pakënaqësia, indinjata, zemërimi, zhgënjimi me qeverinë nuk mjaftojnë për rotacionin e pushtetit. Sepse shumica e elektoratit mund të nisen nga mendimi se opozitën me këto fytyra i kemi parë, nuk kanë se ç’bëjnë, ndaj më mirë me këta, se dhe “bota ua var më shumë”, ndërsa PD “nuk e qas njeri te dera“.
Nuk qëndron as mendimi se kjo shumicë do të rrëzohet vetë nga krizat dhe skandalet e shumta qeveritare dhe nga faktori ndërkombëtar; të jemi realistë, pa mohuar kursesi dhe në respekt të PD-së, PL-së, protagonistëve dhe propozimeve të tyre të vyera, tani për tani BE dhe SHBA-të shohin se veç PS-së, megjithë kusuret e saj të shumta, nuk ka alternativë tjetër bindëse dhe të besueshme qeverisëse.
Sa për rrugët e tjera jo paqësore dhe të dhunshme, ca më pak me 40 deputetë pa mbështetje të gjerë jo vetëm partiake por popullore, kujdes, nuk jemi më në vitin 1990-1991, as më 1998 dhe më 2011; pastaj kjo strategji është e pamundur të ketë sukses përballë një ”Partie shtet” realisht më të fortë dhe të ashpër se me 1992, me polici të armatosur deri në dhëmbë dhe kryesorja, askush brenda dhe jashtë nuk do ta njihte një fitore me dhunë. Lidhur me mosbindjen civile, le të jemi të sinqertë, për fat të keq, opozita po tregon se nuk i ka as ”këllqet”, as burimet, as njerëzit dhe mbi të gjitha nuk ka FRYMEN që të fitojë zgjedhjet parlamentare të vitit 2025!
Ja pse është momenti që ajo “t’i thërasë mendjes” duke shfrytëzuar afrimin e këtyre zgjedhjeve për ta filluar ndryshimin e madh brenda vehtes, ama me reforma konkrete gjithëpërfshirëse, të shtohen elementët e rinj brenda Partisë dhe sidomos si deputetë, me përparësi të rinj dhe të reja, me gra dhe vajza, për një lidership të besueshëm kudo, se vetëm kështu mund të tërhiqet vëmendja e gjerë publike te alternativat e saj. Për fat të mirë opozitës në përgithësi nuk i mungojnë drejtues të aftë dhe përfaqësues qytetarë, me imazh të pëlqyeshëm në masat e gjera; si ish-deputeti i ndjerë Gert Bogdani, çuditërisht i larguar nga politika aktive kur kishte gjithë atë përvojë dhe rrezatim dhe të tjerë! Po ashtu, PD-ja ka shumë nevojë të hapet ndaj artistëve, sportistëve, njerëzve të artit, shkencës, personalitete publike, etj, të shquar për oponencën ndaj pushtetit, por që në PD numërohen me gishtat e dorës!
Së fundi, nisur nga sa sipër, nuk është që të fillojë puna me një analizë tërësore të aktorëve, faktorëve, sfidave dhe pengesave të shumta në prag të fushatës së zgjedhore 2025; pa një analizë të tillë si themeli i strategjisë së ardhshme, PD-ja dhe bashkë me të gjithë opozita tjetër rrezikon të vazhdojë të “lundrojë” në ujra te turbullta, dhe ta shtyjë me slogane dhe mitingje, por në fund të ditës do të dalë prapë humbëse tragjike. Duke u ngushëlluar me refrenin e akuzave të ndaj shumicës, por që vështirë se do t’ua verë kush veshin!
(BalkanWeb)