Qeveria ka vendosur të ndryshojë trajtimin që bën ndaj investitorëve që investojnë me shumë se 800 milionë lekë dhe hapin jo më pak se 500 vende pune kur bie fjala tek kontratat me vlerë simbolike 1 euro apo ato enfiteozë. Në një vendim të miratuar në muajin qershor por që ka hyrë në fuqi në 23 gusht sanksionohet pikërisht kjo pjesë ku për këtë kontigjent nënvizohet se kohëzgjatja nuk do të jetë ajo standarde.

Deri më dje gjithçka rregullohej me pikat 6 dhe 7 të kreut 1 të vendimit ku përcaktohej se afati i lidhjes së kontratës për sipërfaqet 200 – 500 m2 është deri në 10 (dhjetë) vjet, ndërsa për sipërfaqet mbi 500 m2 është deri në 20 (njëzet) vjet. Po kështu të drejtën e lidhjes së kontratës së enfiteozës për pasuritë shtetërore, me afat deri në 20 (njëzet) vjet, e ka ministria përgjegjëse për ekonominë ose organi i qeverisjes vendore, që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit mbi pronën.

Me ndryshimin e fundit ligjor, kontratat me vlerë simbolike 1 euro mund të lidhen për një afat 30 vjeçar me të drejtë ripërtëritjeje po kaq , kurse ato emfiteozë për dyfishin e kësaj.

“Bëjnë përjashtim nga përcaktimet e pikave 6 e 7, të kreut I, kontratat e qirasë dhe enfiteozës, kur ka një investim të rëndësishëm për vendin, që synon tërheqjen e industrive të reja dhe futjen e teknologjive të përparuara, me një nivel investimi mbi 800 000 000 (tetëqind milionë) lekë dhe që do të sigurojë jo më pak se 500 (pesëqind) vende pune. Afati i lidhjes së kontratave të qirasë është deri në 30 vjet, me të drejtë ripërtëritjeje me afat 30- vjeçar, ndërsa afati i lidhjes së kontratave të enfiteozës është deri në 60 vjet”, thuhet në vendimin që tashmë ka hyrë në fuqi.

I njëjti vendim bën disa rregullime në pika të veçanta të lidhura me kufitjtë e investimit sipas sektorëve, masat penalizuese në rastet kur nuk realizohen sipas planbiznesit investimet dhe nuk hapen vendet e premtuara të punës, si dhe shton elementët e monitorimit.

Po kështu vendimi sanksionon të drejtën e privatizimit për subjektet që realizojnë investime në masën 150 për qind të vlerës së truallit apo 750 për qind në rastin kur situata është me komplekse. Në fund, vendimi shton tre pika të reja ku ndër të tjera, se kur kërkohet shembje e godinave të caktuara që janë të amortizuara dhe nuk i shërbejnë investitorit ato duhet të shemben me fondet e atij që ka përfituar kontratën 1 euro apo enfiteozë. Po kështu që kontratat e qirasë apo ato enfiteozë duhet të regjistrohen pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme përgjatë gjithë kohëzgjatjes së saj, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi. /Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb