NGA OLA MITRE*
TIRANË- Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka miratuar një shtojcë të re kontrate me farmacitë dhe agjencitë farmaceutike, që bie në kundërshtim me ligjin, duke detyruar këto të fundit të mos i firmosin, çka lidhet drejtpërdrejt me vijueshmërinë e aplikimit të skemës së rimbursimit të ilaçeve apo jo”. Deklarata vjen nga presidentja e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Diana Toma, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, bën me dije shkeljet në drejtim të farmacistëve dhe të konkurrencës së lirë e të ndershme për këto subjekte. “Me iniciativën tonë, kjo çështje ka shkuar dhe pranë Autoritetit të Konkurrencës dhe ne presim që t’i jepet zgjidhje”,-shton Toma.

Znj. Toma, në vendimin nr. 71, të datës 22.12.2015, Këshilli Administrativ i FSDKSH-së ka miratuar shtojcën e kontratës me farmacitë, duke sjellë një sërë kriteresh të reja. Pse i konsideroni këto kritere si të jashtëligjshme?
Përcaktimi i këtyre kritereve sjell si rrjedhojë lidhjen ose jo të kontratës së farmacive me FSDKSH-në, që do të thotë se në mënyrë të drejtpërdrejtë, përcaktim i vijueshmërisë ose jo të aplikimit të skemës së rimbursimit nga farmacistë të ndryshëm në subjektet farmaceutike ku ata zhvillojnë aktivitetin e tyre. Ky vendim, ndonëse paraprakisht na njeh me referencën e tij ligjore, në një pjesë të përmbajtjes së tij, vërejmë që jo vetëm nuk është i bazuar në ligjet që referohen, por nuk gjejmë as ligje, VKM apo rregullore, të cilat të kenë përmbajtjen e pretenduar si orientues në vendosjen e kritereve.

Më konkretisht, një prej pikave që ju kundërshtoni është pika 1, ku thuhet se: “Farmacia duhet të jetë në një distancë të tillë, jo më pak se 20 metra nga kufiri i jashtëm i Institucionit Shëndetësor Publik”. Pse?
Ndonëse pika 1 e vendimit shprehet qartë se, për të lidhur kontratë me Fondin, “Farmacia apo agjencia farmaceutike të jetë e licencuar nga Qendra Kombëtare e Licencimit”, që do të thotë se subjekti ka përmbushur të tëra kriteret që ligji i ngarkon për t’u licencuar e më pas për të ushtruar aktivitetin e tij farmaceutik, në pikën 10 të këtij vendimi gjejmë të shprehur këtë formulim, gjë që nuk është e parashikuar në asnjë ligj a rregullore. Po ashtu, ne i kemi kërkuar zyrtarisht QKL-së të na sjellë kriteret e licencimit të një subjekti farmaceutik, dhe në listën e kthyer prej tyre nuk ka asnjë përcaktim të tillë.

Po ashtu, ju kundërshtoni pikën 13, ku përcaktohet se “Farmacia që lidh kontratë për herë të parë, duhet të ketë sipërfaqe të shfrytëzueshme 50 m²”. Pse je kundër kësaj pike?
Në shërbimin farmaceutik, e vetmja rregullore që përcaktonte kriteret e sipërfaqes së shfrytëzueshme të objektit ka qenë ajo e vitit 1998, e cila përcaktonte sipërfaqen prej 35 m². Kjo rregullore është shfuqizuar me miratimin e ligjit të ri të barnave dhe shërbimit farmaceutik në vitin 2014, i cili nuk përcakton kritere as për sipërfaqen e shfrytëzueshme të farmacisë, as për distancën farmaci-farmaci, as për distancën farmaci-qendër shëndetësore. Ky ligj nuk është pasuar nga akte të tjera nënligjore që të përcaktojnë kriteret e sipërpërmendura.

Një tjetër pikë e konsideruar e jashtëligjshme sipas jush është dhe përcaktimi se “Farmacia që lidh kontratë për herë të parë, duhet të jetë në një distancë të tillë jo më pak se 150 m² nga farmacia ekzistuese me kontratë”…
Kjo pikë nuk qëndron me të njëjtin arsyetim si ai i sipërpërmendur. Kjo distancë është hequr që me liberalizimin e hapjes së farmacive, dhe vendosja e një kriteri të tillë, veç tejkalimit të kompetencave, çon në një konkurrencë të zhbalancuar e për pasojë në prishjen e konceptit të konkurrencës së lirë. Dëshiroj të ritheksoj, se gjithë këto kritere vendosen për subjekte të licencuara për të zhvilluar aktivitet farmaceutik nga institucioni përgjegjës për këtë qëllim, që është QKL-ja.

Ju e keni konsideruar shtojcën e re të kontratës edhe si shkelje të konkurrencës së lirë dhe të ndershme. Për çfarë arsyeje?
Pika 15 e vendimit të KA-së shprehet se “Farmacia që lidh kontratë për herë të parë ose pas një periudhe ndërprerjeje, të ketë në gjendje në farmaci jo më pak se 60% të barnave alternativa të para të barnave që rimbursohen, në sasi të tillë jo më pak sesa mjekimi mujor sipas protokollit”. Ky përcaktim ngarkon me një barrë financiare të pajustifikuar subjektet farmaceutike, pasi kushtëzimi i një sasie 60% të barnave alternativa të para të listës së barnave që rimbursohen, në kushtet kur prezenca e një bari në farmaci përcaktohet nga kërkesa që të çon në një gjendje stok të destinuar për të skaduar e më pas për t’u asgjësuar nga subjekti farmaceutik, që përkthehet në kosto, ndaj në mënyrë të drejtpërdrejtë theksojmë, se kjo pikë e këtij vendimi përbën shkak për dëm financiar. Farmacisti që punon brenda një subjekti farmaceutik është në gjendje të vlerësojë cilat barna duhet të mbajë në farmaci, pasi ai i di kërkesat e pacientëve si dhe është i interesuar t’i plotësojë ato në çdo rast.

A ka pika të tjera të kontratës me të cilat ju nuk jeni dakord?
Po, janë pikat 19 dhe 20, ku shprehimisht thuhet se “Nuk lidhet kontratë me farmacitë të cilat janë në proces gjyqësor me Fondin apo Drejtorinë Rajonale të Fondit” dhe “Me farmacitë të cilat janë në hetim nga organi i akuzës për çështje që lidhen me pikat e kësaj kontrate, deri në përfundimin e plotë të hetimeve, nuk lidhet kontratë”.

Në këto dy pika kemi kundërshti të qartë me ligjet në fuqi, pasi nuk mund të paragjykosh një individ apo subjekt për fajësi, deri në shprehjen përfundimtare të organeve gjyqësore për këtë fakt. Ky vendim në këtë mënyrë cenon një nga parimet theme-lore të shtetit të së drejtës, që është prezumimi i pafajësisë. Vendosjen e këtyre pikave, ne e vlerësojmë si një formë presioni të hapur që iu bëhet farmacistëve dhe subjekteve të tyre, për të mos i parë organet gjyqësore si formë të zgjidhjes së problemeve që mund të lindin nga kjo marrëdhënie kontraktuale.

Duke marrë në konsideratë gjithçka thatë më lart, cila është kërkesa juaj?
Duke qenë se UFSH-ja ka të drejtën e përfaqësimit të interesave profesionale të farmacistëve si dhe t’i mbrojë ata nga veprimet arbitrare të administratës publike ose private për ushtrimin e profesionit, ne i kemi parashtruar kundërshtimet tona pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit, Autoritetit të Kon-kurrencës dhe Avokatit të Popullit. Po ashtu, i kemi drejtuar një kërkesë drejtoreshës së Fondit, për të shfuqizuar këto pika që janë në kundërshtim me ligjin. Duke qenë se kontrata miratohet nga Këshilli Administrativ i Fondit, me kërkojmë që drejtoresha ta paraqesë kërkesën tonë pranë tij, në mënyrë që shtojca e kontratës të mos hyjë në fuqi.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: