Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike publikon listën me 101410 abonentët që janë kualifikuar për t’u trajtuar me kontrata provizore. OSHEE bën të ditur se kontratat provizore janë kontrata, të cilat janë lidhur në sistemin energjetik pa paguar detyrimin ligjor ndaj kompanisë për t’u lidhur në rrjet. Për të përfituar nga ky shërbim, OSHEE bën të ditur se për shkak të kërkesave të shumta, afati pritet të shtyhet edhe pas 31 janarit, që ishte caktuar si datë për mbylljen e këtij procesi.

“Theksojmë se procesi për përditësimin e të dhënave dhe për këto kontrata provizore do të vazhdojë dhe pas datës 31 janar 2016″, bën të ditur OSHEE, e cila bën të ditur gjithashtu edhe listën me dokumente që duhet të plotësojnë abonentët familjarë dhe bizneset për të përfituar nga ky shërbim. Kompania thekson se kalimi i kontratave provizore në status definitiv është pa pagesë dhe i bën apel kësaj kategorie të nxitojnë për t’iu drejtuar sporteleve të Kujdesit ndaj Klientit (KNK-ve) të plotësojnë formularin me të dhënat e sakta.”, citohet në njoftimin e OSHEE-së. Në përfundim të procesit të përditësimit, bazuar në analizat e të dhënave do ngelet në vendimmarrjen e kompanisë për të vendosur nëse abonentët privatë dhe familjarë që aplikojnë për kalimin e kontratave të tyre provizore në definitive mbas kësaj date do të paguajnë detyrimin ndaj kompanisë.

“OSHEE bën të ditur se për të shmangur radhët e gjata, sportelet do të punojnë edhe të dielën deri në orën 18.00. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) vijon procesin e përditësimit të dhënave për 1.2 milionë kontratat që ka me konsumatorët, proces i cili ka nisur në shtator 2015. Ky proces synon identifikimin e klientëve, ku do të kihet parasysh identiteti i plotë i tyre, adresa e saktë, mënyra si janë të lidhur në rrjet në kuptimin çfarë nivel tensioni, si dhe të dhënat për matësit. Qëllimi i këtij projekti përditësimi është plotësimi i dosjeve që mbartin mangësi informacioni të abonentëve të OSHEE. Për abonentin ka avantazh, pasi një dosje/kontratë e tij me të dhëna të sakta/të plota/të besueshme, e shndërron shërbimin ndaj tij më transparent dhe eficient”, thuhet në njoftim. “Gazeta Shqiptare” ka publikuar sot listën e plotë të kontratave provizore duke nisur me Tiranën.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: