TIRANE– Tolerancë zero ndaj të gjithë subjekteve që nuk do të respektojnë ligjet dhe do të cënojnë mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Kështu deklaroi ministri i Mjedisit, Blendi Klosi gjatë takimit të Komitetit Rajonal të Turizmit në qarkun e Durrësit, plazhet e të cilit janë nën patronazhin e katër ministrave të qeverisë; ministrit Klosi, ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, ministrit të Diasporës, Pandeli Majko, dhe ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Në takimin e mbajtur në prefekturën e Durrësit, bashkë me ministrat e përfaqësues të pushtetit lokal, ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga biznesi i turizmit.

Prej datës 1 korrik nuk do të ketë asnjë tolerancë apo negociim për ata që shkelin zonat e përcaktuara për mjetet lundruese, për subjektet që nuk kanë rojet e plazhit por edhe për lokalet, apo baret që shkaktojnë ndotje akustike dhe shkelin rregullat e vendosura nga bashkia.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit u ndal në 3 detyrat kryesore të institucioneve të angazhuara në mbarëvajtjen e sezonit turistik; garantimi maksimal i pastërtisë, siguria në plazhe dhe rritja e standardeve të mikpritjes.

“Kemi shumë nevojë që ato 3 detyrat kryesore qe i kemi vene vetes për sezonin turistik janë garantimi maksimal i pastërtisë dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për pastërtinë nga punonjësit e bashkisë, nga stafi i bashkisë për pastrimin e mbetjeve urbane”, nënvizoi Klosi duke shtuar se ajo duhet të jetë e padiskutueshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb