Policia e Lezhës ka zhvilluar një super-aksion antidrogë gjatë natës së kaluar, me kontrolle të shtuara në të gjithë territorin, duke arrestuar një person e shpallur në kërkim një tjetër.


Njoftimi i policisë:


Kurbin, Lezhë


Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Sanxhaku”.

Operacioni nga Policia e Kurbinit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë.

Sekuestrohen 6 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe një armë e ftohtë.

Një shtetas në pranga dhe një tjetër u shpall në kërkim.

Gjatë kontrolleve të shtuara më herët u sekuestrua edhe një pistoletë imituese që e dispononte një 21-vjeçar dhe qarkullonte me të me vete.

Në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut Lezhë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, nga Policia e Kurbinit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, u organizua dhe finalizua operacioni policor antidrogë i koduar “Sanxhaku”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

K. M., 28 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin.

Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. M., 23 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin.

Shërbimet e Policisë, pas informacioneve të marra se këta dy shtetas po transportonin me automjet një sasi lënde narkotike, kanë ndërhyrë në vendin e quajtur “Shullaz” duke bllokuar automjetin dhe shtetasin K. M. Gjatë kontrollit në automjet u gjet një sasi prej rreth 6 kg kanabis.

Në përfundim të veprimeve u bë shpallja në kërkim edhe e shtetasit A. M., si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e K. M., u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë e ftohtë thikë.

Po gjatë kontrolleve të shtuara, në orët e vona të natës Policia kapi dhe procedoi penalisht 21-vjeçarin K. N., banues në Lezhë, i cili qarkullonte me një pistoletë imituese.

Materialet iu referuan prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” në ngarkim të shtetasit K. M. dhe për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mosbindja nda urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” në ngarkim të shtetasit A. M.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb