TIRANE- Bizneset që kapen nga Tatimet me mall të painventarizuar rrezikojnë sekuestrim të mallit dhe gjobë deri në 50 mijë lekë për mosmbajtjen në rregull të dokumentacionit. Tatimet kanë nisur kontrollet dhe dënimet që parashikohen për kontrollet tatimore dhe nga të cilat kanë shpëtuar bizneset, si rrjedhojë e pezullimit të supergjobave. Sipas ligjit aktualisht në zbatim (ligji nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”), dënimet janë shumë më të ulëta, si gjobë 100.000-1.000.000 lekë për pengim informacioni, gjobë deri në 50 mijë lekë për mosmbajtje të dokumentacionit në rregull, apo dhe sekuestrim të dokumentacionit dhe mallit.

Bizneset përballen me një gjobë 100 mijë lekë (i vogli) dhe 1 milion lekë (i madhi) për mosdhënie informacioni dhe sekuestrim dokumentacioni, sipas nenit 127. Edhe me ligjin që po zbatohet aktualisht biznesi rrezikon sekuestrimin e mallit, specifikisht: “Tatimpaguesi, që mban në ruajtje, përdor ose transporton mallra të pashoqëruar me dokumente tatimore, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, dënohet me konfiskim të të gjithë sasisë së mallit, që mbahej në ruajtje, përdorej apo transportohej, i pashoqëruar me dokumente tatimore”. Dorëzimi i një deklarate tatimore të pasaktë dënohet me një gjobë të barabartë me 0,06 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë, gjatë së cilës pagesa nuk është kryer. Në asnjë rast, gjoba nuk llogaritet për një periudhë më të gjatë se 365 ditë kalendarike.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: