NGA OLA MITRE

TIRANE-
Verifikimi i provimit të shtetit duhet bërë që nga viti 2012, kur ai filloi si proces, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të flasim për procedurë të plotë e që do i shërbejë përmirësimit”. Kërkesa vjen nga presidentja e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Diana Toma, pas urdhrit të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë mbi verifikimin e këtij provimi përgjatë viteve 2014 dhe 2015. Përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqi-ptare”, Toma shpreh edhe një sërë problematikash që lidhen me këtë proces të ndërmarrë në këtë periudhë, ndërsa bën me dije se 4 urdhrat profesionalë: i Mjekut, Farmacistit, Infermierit dhe Stomatologut, ndajnë të njëjtat shqetësime.

Znj. Toma, përmes një urdhri të përbashkët të Ministrisë së Arsimit e Sportit dhe asaj të Shëndetësisë, është kërkuar verifikimi i procesit të provimit të shtetit për vitet 2014 dhe 2015. Çfarë është konkretisht ky urdhër?
Të katër Urdhrave të Profesionistëve u ka ardhur një shkresë, e cila titullohet ‘Urdhër’, që normalisht ‘Urdhër’ mund të titullohet një shkresë që jepet brenda institucionit ose midis 2 institucioneve, por jo kur ka zbatueshmëri për një të tretë, që është ent publik i pavarur. Si subjekt kontrolli do të jenë 3 urdhrat: i Mjekut, Infermierit dhe Farmacistit, pasi i Stomatologut është i përjashtuar, duke qenë se ai tani ka filluar të regjistrojë, ndërsa më herët ka qenë pjesë e Urdhrit të Mjekut. Përderisa baza ligjore i referohet ligjit “Për profesionet e rregulluara” dhe më pas rregullores së provimit të shtetit, që është akt normativ, fakti që këto dy ministri duan të kontrollojnë procedurën, ne nuk na alarmon. Domethënë këto janë dy institucionet përgjegjëse që duan të mbikëqyrin procesin.

Si e cilësoni këtë urdhër?
Në radhë të parë, ky urdhër ka ardhur shumë vonë. Neve na ka mbërritur në datën 17 dhjetor, dhe në këtë fletë thuhet që brenda datës 15 janar të vitit 2016 do të ketë mbaruar verifikimi nga grupi i punës. Domethënë, sikur të fillonte në datën kur ka ardhur shkresa dhe të përfundojë në datën 15 janar, është më pak se një muaj nga data e marrjes së njoftimit, në një kohë që bëhet fjalë për kontrollin nga 1 janari i 2014- ës, pra 4 cikle. Nga ana tjetër, është normale që këto dy institucione duan të bëjnë një rishikim të procedurave, meqenëse është hera e parë që bëhet ky verifikim, por pse nuk bëhet verifikimi që kur ka filluar provimi i shtetit, pra që nga 1 janari i viti 2012?!

Kur bëhet një verifikim, ti kërkon që të nxjerrësh problematikat, në mënyrë që të përmirësosh procesin nëpërmjet tyre, dhe si është e mundur që ti kërkon pikërisht për atë periudhë kur kanë ndryshuar edhe drejtuesit e Urdhrave përkatës?! Pra duket sikur kërkon ta lidhësh me emra konkretë, ndonëse ky duhet kapur si proces. Nga ana tjetër, ndër vite, jo vetëm nga 1 janari i vitit 2014, por që kur ka filluar provimi i shtetit, nga ana e këtyre 2 institucioneve (Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë) nuk ka ardhur asnjë kërkesë për informacion, nuk ka ardhur asnjë problematikë e ngritur. Përkundrazi, kemi qenë ne si Urdhër Farmacistësh që herë pas here, me shkresa kemi kërkuar përgjigje për problematika të vërejtura, përgjigjet e të cilave nuk na kanë ardhur sot e kësaj dite.

Çfarë informacionesh keni parasysh?
Është e pajustifikue-shme, që për fakultete të cilat janë mbyllur, kemi kërkuar një interpretim nga ana e Ministrisë së Arsimit nëse janë të vlefshme diplomat e tyre, dhe na ka ardhur përgjigje që nuk mund të japin përgjigje për ligjshmërinë e këtyre diplomave. Rasti tjetër, kur për një grup diplomash nga “Universiteti Planetar” kemi kërkuar shpjegim nga MAS-i nëse janë të vlefshme, dhe përgjigjja na ka ardhur pas 3 muajsh e pas 3 shkresash, dhe thuhej që nuk janë të vlefshme, dhe më vonë ky grup studentësh e çon çështjen në gjyq dhe fiton gjyqin. Mbi të gjitha dhe më absurd është fakti që në këtë gjyq, Ministria e Arsimit kërkoi që çështja të zgjidhej mes UFSH-së dhe studentëve, ndonëse bëhej fjalë për vlefshmërinë e diplomave. Pra tregon që problematikat nuk qëndrojnë te ne si institucion, por kjo tregon se problematikat duhet të shihen fillimisht te ato institucione që marrin vendime.

Çfarë mendimi keni për grupin e punës të ngritur nga këto 2 ministri për verifikimin e procesit?

E mira do ishte që ky verifikim të shihej si një formë bashkëpunimi. Pra, nëse këto institucione duan të vijnë të verifikojnë, derën e kanë të hapur, por grupi i punës, patjetër në përbërje duhej të kishte edhe anëtarë të Urdhrit të Farmacistëve, Mjekëve apo Infermierëve. E dyta, kanë kaluar nga viti 2012-2015: nuk kanë bërë një herë një pyetësor për secilin institucion nëse ka problematika mbi procedurat e regjistrimit të këtyre studentëve, duhet shtuar apo duhet hequr ndonjë gjë mbi bazë të kërkesave që kanë, sepse ka shumë gjëra që janë pa vend.

Paraprakisht do ishte mirë që të na ishin mbledhur mendime mbi problematikat që ishin hasur në vite, paraprakisht do ishte mirë që të merrej një konsultim edhe mbi format që mund të propozonim me mbi përmirësimin e tyre, do ishte mirë të ishim njoftuar kohë më përpara dhe, mbi të gjitha, do ishte mirë që të mos shikohej si një kontroll për një periudhë shumë të shkurtër, por nëse ti do ta kontrollosh këtë cikël, merre dhe kontrolloje të gjithin. Gjithkush që e shikon këtë, mendon: viti 2014 përkon edhe me mbylljen e universiteteve private. Atëherë, ç’do të thotë: ata që e kanë kaluar, le të vazhdojnë, ndërsa këta të tjerët, hajde t’i kontrollojmë edhe një herë. Ndaj, kjo duhet kontrolluar e gjitha si periudhë. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur dhe nuk jemi kundër procesit të verifikimit.

Ju si Urdhra Profesionalë, do të dilni me një deklaratë të përbashkët?
Jo, nuk është bërë deklaratë, por kemi bërë një takim informal, ku të 4 Urdhrat ndamë të njëjtin shqetësim, dhe jam e sigurt që këto që po them unë do i thoshin edhe drejtuesit e tjerë të Urdhrave.

Do të ketë ndonjë kërkesë publike për t’u bërë në një formë tjetër apo verifikimi të shtrihet gjatë gjithë viteve të këtij procesi?
E kemi menduar, por është herët për t’u shprehur. Ndoshta kjo mund të bëhet pas mbylljes së këtij verifikimi të parë për vitet 2014-2015. Faksimile e urdhrit të përbashkët të MAS dhe MSH për verifikimin e provimit të shtetit Por nëse ai nuk do të shtrihet që prej vitit 2012, do të jetë një proces ‘sa për të larë gojën’. Veç kësaj, a ka kuptim që këto verifikime të bëhen pikërisht në periudhën kur studentët janë përgatitur për t’u futur në provim shteti?! Nëse ti ke si institucion këto insinuata, shko verifikoji rastet dhe mos pengo një armatë studentësh, të cilët mezi presin të dalin në tregun e punës, sepse kanë investuar në shkollim shumë vite.

Çfarë lloj shkeljesh mendoni se mund të dalin nga ky proces?
Nëse do kishte realisht marrëdhënie bashkëpunimi gjatë kësaj kohe (shkëmbim informacioni), ne mund të jepnim një përgjigje se çfarë kërkohet të arrihet. Në momentin që nuk ka pasur asnjë lloj këmbimi informacioni, madje kemi qenë ne që kemi kërkuar dhe nuk kemi marrë asnjëherë informacion, pyetja mbetet pa përgjigje.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb