TIRANË

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka folur me tone të ashpra ndaj maxhorancës dhe kryeministrit Edi Rama në Konventë Kombëtare të kësaj force. Ajo tha se shqiptarët nuk mashtrohen më nga asnjë dhe se LSI duhet të nënshkruajë një kontratë me ta për të fituar zemrat e tyre.

“LSI-në nuk e bëjnë njerëzit, e bën shpirti, ndjenja, e mbi të gjitha dashuria që kemi për njeri-tjetrin. Për herë të parë vijmë në këtë konventë si shqiptarë të thjeshtë, një pjesë e jona pa mandatin e deputetit ndaj dhe ndiejmë përgjegjësi.
Shqiptarët nuk i gënjen dot më as Rama dhe as klonet e tij lokale nëpër Shqipëri. Nuk  gënjejmë dot as un e as bashkudhëtari ynë i opozitës. Janë të mbingopur nga gënjeshtrat dhe kanë të drejtën e Zotit të na paragjykojnë. Përveç se politikës hallet e shqiptarëve nuk mund të zgjidhen me gjë tjetër.
Do fitojmë zemrat e shqiptarëve vetëm nëse nënshkruajmë një kontratë me ta. Jo t’i presim thonjtë por dorën oligarkëve. Ne duhet të ngremë një sistem që do të presë çdo dorë që tenton ta bëjë këtë gjë”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo e cilësoi kryeministrin Rama një telekomandë me dy funksione që komandon krimin dhe komandohet nga ata.

“PPP-të janë që privati të fillojë të punojë me paratë tij dhe t’i marrë vit pas viti nga shtetit por ky njeri e ka deformuar PPP sepse shteti ia jep të gjitha që në fillim.
Rama sot është një telekomandë me dy funksione, në njërën anë marrëse ku ky njeri merr dhe komandon krimin e organizuar dhe oligarkët dhe nga ana tjetër komandohet nga ata.
Beteja jonë është shembja e këtij sistemi të kalbur dhe shkëputja e kësaj telekomande”, theksoi Kryemadhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: