Teksa në Nju Jork nis punimet sesioni i 74-t i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Koordinatori i Përhershëm i OKB-se në Shqipëri Z. Brian J. Williams në një interviste për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në News24 thekson rëndësinë që ka reforma në drejtësi dhe se ajo lidhet ngushtësisht me “Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm” siç është ai numër 16 që ka të bëjë me institucionet llogaridhënëse dhe me vetë sundimin e ligjit.


“Është pikërisht kjo reformë në gjyqësor që është kritike siç është vetë sundimi i ligjit dhe në këtë aspekt unë dëshiroj t’i bashkohem opinioneve të partnerëve tanë të zhvillimit dhe të miqve të Shqipërisë për të thënë se është shumë e rëndësishme që të krijohen sa më shpejt institucionet e reja të drejtësisë dhe që më pas këto institucione të reja të drejtësisë të kenë mundësinë të tregojnë se do ta bëjnë punën e tyre në formë të pavarur dhe të paanshme. Kjo është thelbësore për ecurinë, progresin dhe përparimin që do të bëjë Shqipëria në të ardhmen” deklaron Z. Williams. Sipas tij një tjetër reformë me rëndësi është ajo territoriale administrative e cila krijoi një ndarje të re administrative në vitin 2016.



“Kjo është shumë e rëndësishme sepse do t’i sjellë shërbimet më pranë qytetarëve dhe po ashtu do të krijojë edhe autonomi më të madhe vendore dhe natyrisht është e rëndësishme në vetvete dhe ndihmon edhe në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Në fakt një reformë tjetër shumë e rëndësishme është ajo në administratën publike dhe kjo është vërtetë e rëndësishme”, thekson Z. Williams për News24.

Zyrtari i lartë i OKB-së në vendin tonë thotë se është shumë e rëndësishme që në Shqipëri qytetarët të mësojnë të kenë besim te institucionet, por nga ana tjetër edhe vetë institucionet duhet të mësojnë sesi të bindin qytetarët që këta qytetarë të kenë besim tek ata për shërbimet që u japin institucionet dhe kjo do të arrihet me anën e një transparence më të madhe.

“Unë do të thosha që elementi më i fuqishëm i shoqërisë shqiptare janë vetë njerëzit, janë vetë qytetarët. Prandaj të gjithë duhet të investojmë te ky kapital shumë i mirë njerëzor”, deklaron Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri.

Duke u ndalur te sesioni i 74-t i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që mbahet në Nju Jork, Z. Williams thekson se javën e ardhshme do të zhvillohen edhe takimet e nivelit të lartë ku do mbahet edhe samiti shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe në thelb të këtij samiti do të jetë raporti për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe të gjitha ato hapa dhe veprimet që do të duhet të ndërmerren në të ardhmen.

“Vetë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dëshiron që shtetet të cilat do të vijnë të mos sjellin vetëm raportet e atyre gjërave që ato kanë bërë tashmë, por të tregojnë se cilat do të jenë hapat e mëtejshëm, veprimet që ato do të ndërmarrin për të përshpejtuar uljen ose reduktimin e emetimeve të efektit serë dhe përshpejtim të efekteve pozitive në ambient”, deklaron Z. Williams për News24.

Një tjetër aspekt që Z. Williams thekson ka të bëjë me varfërinë dhe tjetri ka të bëjë me kujdesin shëndetësor.
“I lidh këto të dyja për arsye sepse shumë familje të varfra, madje edhe familje të klasës së mesme janë familje që shpesh detyrohen që për arsye të një aspekti shëndetësor që shpesh mund të jetë edhe katastrofik, madje edhe me pasoja fatale për ata të shesin pasurinë që kanë ose të heqin fëmijët nga shkolla vetëm që të mund t’ia dalin mbanë. Prandaj mund t’ju them një shifër që çdo vit në rruzullin tokësor 100 milionë njerëz kalojnë në varfëri vetëm për një arsye që ka të bëjë me shëndetin. Prandaj ne duhet të punojmë shumë sepse aksesi në kujdesin shëndetësor është një e drejtë njerëzore dhe ne duhet të punojmë patjetër për këtë gjë. Po ashtu do të ketë një takim shumë të rëndësishëm të nivelit të lartë si pjesë të samitit që do të ketë të bëjë me financimin e axhendës 2030. Kjo është shumë e rëndësishme sepse sipas përllogaritjeve çdo vit nevojiten pesë trilion dollarë në mënyrë që ne të mund të arrijmë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm deklaron Koordinatori i Përhershëm i OKB-se në Shqipëri Brian J. Williams për News24.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb