TIRANË

Ish-deputeti i PD Luçiano Boçi ka folur në studion e News24 në rubrikën “Opinion” për çështjen e një pjese të kopshtit botanik që qeveria ia ka kaluar me një VKM bashkisë. Boçi tha se pronat universitare nuk mund të tjetërsohen, duke ngritur dyshime se Kopshti Botanik do të kafshohet për t’u ngritur kulla.


“Kopshi botanik është bazë eksperimentare e një universiteti. UT është akredituar duke marrë në konsideratë parametrat e tij dhe një është pronësia. Universitetit nuk mund t’i shkëputet kjo pjesë dhe t’i atashohet bashkisë së Tiranës që thotë se do shkojë në përputhje me destinacionin.
Ligji i Arsimit të Lartë lejon bashkinë të jetë bashkë aksionere me Universitetin. Kjo pronë kalohet në kundërshtim me Kushtetutën. Pronat universitare nuk mund të tjetërsohen. Ka dyshime që ajo pjesë e kopshtit botanik do kafshohet për qëllime klienteliste për kulla”, deklaroi ai.

Boçi tha se PD ka bërë apel për një reagim të fortë nga ana e stafit akademik e studentëve. “Ka një vendim të dekanatit që e kundërshton. Reagimi i studentëve duhet të jetë i fortë. Është një VKM antikushtetuese. I ka ngelur vetëm qytetarit, studentit, akademikut të dalë dhe të vendosë të drejtën e tij mbi pronën publike dhe të universitetit. Goditja e tillë cenon pavarësinë e universitetit, autonominë financiare dhe lirinë akademike. pa një kopsht botanik nuk mund të flasim as për kërkim shkencor dhe as për transmetimin e dijeve”, tha ai.


Sa i përket ftesës së Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe 13 tetorin, Boçi tha se insistimi i presidentit është i ligjshëm në zbatim të Kushtetutës.


“Gjetje për krizën duke përdorur të gjitha resurset e mundshme ligjore e kushtetuese. Gjykoj që presidenti është në rolin e tij. Është në funksion të zbatimit të funksionit të tij si garantues i unitetit dhe i sigurisë por edhe mbi palët politike. Kuvendi duhet t’i përgjigjet në sintoni të plotë kërkesës së presidentit. Pjesët e tjera për 3 palë zgjedhje janë pjesë tjetër. Presidenti është në drejtim të ushtrimit të të drejtës së tij Kushtetuese. Njohja e 13 tetorit është një datë e dekretuar. Inkurajojmë të gjitha partitë politike”, u shpreh Boçi.

I pyetur nëse PD e njeh 13 tetorin dhe do të marrë pjesë në këto zgjedhje, ai deklaroi se sapo KQZ të plotësojë kushtet. “Jemi të gatshëm sapo të krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Insistojmë për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të parakohshme, jo zgjedhje me Edi Ramën. Sapo të realizohen këto kushte, PD e gatshme për zgjedhje. Nuk heqim dorë nga beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Datën 13 e njohim, në qoftë se KQZ realizon kushtet, PD është e gatshme që të regjistrohet në një proces zgjedhor për zgjedhje politike dhe lokale”, tha Boçi.

(m.k/BalkanWeb)