Përmbyllja e procesit të integrimit dhe anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është objektivi madhor i shpallur nga Partia Socialiste dhe Kryeministri Rama.

Qeveria shqiptare ka punuar për shumë vite lidhur me përmbushjen e detyrimeve, sipas Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, duke vijuar me bisedimet e rregullta për anëtarësim pranë Komisionit Evropian.

Por si duhet ta kuptojmë më qartësisht anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe çfarë trajte marrin proceset “acquis communautaire” për politikat sektoriale të rajoneve brenda politikave në nivel kombëtar?

Synimi kryesor i këtij procesi nuk është i lidhur thjesht me realizimin formal të bashkimit me Europën, por me atë sesi integrimi në bashkësinë europiane krijon premisa e garanci të shtuara për fuqizim të ekonomisë, shtim të sipërmarrjeve të reja dhe shtrat që shumë më shumë të rinj profesionistë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend, apo të kthehen pas studimeve e përvojave jashtë vendit në Atdheun e tyre për të jetuar e punuar.

Finalizimi i procesit të anëtarësimit është i lidhur me proceset demokratizuese, me ndërtimin e mekanizmave të forcimit të shtetit të së drejtës, me konsolidimin e institucioneve shtetërore e përmirësimin e shërbimeve publike. Por që këto procese të përkthehen në ndikime më të prekshme, ky proces duhet kuptuar edhe si dinamizim i përqëndruar në sektorë jetikë të ekonomisë brenda rajoneve.

Qarku ynë ka identitetin e vet shumëplanësh por ka baza historike e tradicionale në sektorët e bujqësisë, turizmit dhe arsimit. Ndaj, rrugëtimi ose shpejtimi i rritjes ekonomike dhe përkthimi i këtij progresi reformash në një mirëqënie më gjithëpërfshirëse sociale për të gjithë qytetarët e rajonit tonë, duhet të kalojë nga përdorimi i maksimizuar dhe i zgjuar i çdo resursi e potenciali që këta sektorë i bën më konkurrues me rajonet e tjera brenda vendit e pse jo edhe me ato jashtë vendit.

Vendosja e këtyre sektorëve në boshtin e zhvillimit krijon premisa të fuqishme për progres edhe të sektorëve të tjerë dhe e bën ekonominë rajonale më konkurruese. Kjo bëhet e mundur kur iniciativa e aktorëve institucionalë lokalë dhe e sipërmarrjes private është e orientuar kah zhvillimit inovativ në çdo fushë që i sjell dobi komuniteteve tona dhe shfrytëzimit racional të zhvillimeve në nivel kombëtar.

Sa për ilustrim, pas anëtarësimit në BE në vitin 2013, Kroacia ka përfituar mbi 1 miliardë euro çdo vit. Sikur të imagjinonim një skenar të ngjashëm edhe për Shqipërinë me këtë nivel mbështetjeje, kur prej anëtarësimit në BE të burojnë mundësi të jashtëzakonshme financiare zhvillimore, a do të ishim ne gati për të përthithur për rajonin tonë mesatarisht 100 milionë dollarë në vit projekte strategjike në ata tre sektorë prioritare por jo vetëm, me kapacitetet aktuale të burimeve njerëzore dhe institucioneve të qeverisjes në nivel lokal? Unë mendoj që pikërisht këtu qëndron sfida. Ndaj, përpjekja vetëreformuese duhet të jetë aq e madhe dhe kurajoze, sa kohën drejt përmirësimit të performancës qeverisëse rajonale e lokale ta shkurtojmë, duke ngjitur në një nivel të ri fuqinë transformuese qeverisëse të rajonit tonë.
Angazhimet e qeverisë lidhur me reformat e domosdoshme, duhet të plotësojnë kërkesat dhe standardet në fushat kyçe për çdo kriter dhe kapitull të procesit të integrimit, të cilat nuk janë të lidhura vetëm me funksionimin e institucioneve demokratike, reformën në administratën publike, dhe atë të drejtësisë, por edhe me të gjitha liritë dhe garancitë e tjera për zhvillim të qëndrueshëm të qarkut tonë në çdo fushë, duke incentivuar konkurrencë, kreativitet dhe zhvillimin të kontekstualizuar sektorial sidomos në bujqësi, turizëm, arsim dhe edukim.

Në BUJQËSI eksportet bujqësore vetëm gjatë muajit shkurt shënuan 18% rritje në sasi dhe 15% rritje në vlerë krahasuar me një vit më parë. Produktet bujqësore #MadeInKorça duhet të rrisin ndjeshëm praninë e tyre në mënyrë të qëndrueshme drejt tregut vendas dhe atij të huaj, duke incentivuar dhe zbatuar politika të zgjuara e mbështetëse për të gjithë njerëzit e punës, në mënyrë që prodhimi i qarkut tonë të përfaqësojë një peshë specifike kuptimplotë drejt objektivit të shpallur të qeverisë për 1 miliardë dollarë eksporte në nivel kombëtar deri në vitin 2030.

Sfidë ngelet bashkimi i fermerëve, duke shtuar në këtë mënyrë mundësitë e mbështetjeve më të plota nga skema kombëtare e pse jo edhe lokale dhe grantet e BE-së, që njëkohësisht përmirësojnë standardet e cilësisë te prodhimeve dhe rrisin të ardhurat për vetë fermerët.
TURIZMI i vitit 2024 ishte më i miri historik i Shqipërisë sa i takon fluksit të turistëve të huaj që e kanë vizituar vendin tonë, por edhe përmirësimit të shërbimeve në këtë sektor. Viti 2024 dhe sezoni veror që kaluam ka qenë i suksesshëm edhe për qarkun tonë. Statistikat për turistët në rang kombëtar e reflektuan këtë. Po ashtu, përfundimi i disa investimeve të rëndësishme në infrastrukturë në qarkun tonë e favorizojnë edhe më shumë rritjen e flukseve në të ardhmen e afërt.

Tashmë është koha për të jetësuar një sinergji akoma më produktive mes aktorëve të përfshirë në sektorin e turizmit, duke e gërshetuar këtë sektor me atë të bujqësisë, për të plotësuar cilësisht një ofertë autoktone agroturistike të qarkut tonë, si dhe kontribuar në realizimin e objektivit të përcaktuar që Shqipëria të jetë kampione e turizmit në Ballkan deri në vitin 2030.

Në ARSIM sfidë e vazhdueshme mbetet rritja e cilësisë së institucioneve arsimore, konsolidimi i trupës së mësuesve të kualifikuar, stimulimi dhe rritja e rezultateve të nxënësve, si dhe infrastruktura në përmirësim dhe modernizim të vazhdueshëm. Po aq, zbatimi i projekteve të dixhitalizimit e teknologjisë në mësimdhënie, stimulimi dhe mbështetja për nxënësit me rezultate të larta, bashkëpunimi i shkollave të mesme me universitetin “Fan S. Noli”, nxitja dhe forcimi i arsimit profesional si një domosdoshmëri e kohës për tregun e punës, janë prioritete jetike për të ardhmen e qarkut tonë.

E ardhmja e universitetit lidhet drejtpërdrejt me të rinjtë e komuniteteve tona, të cilët duhet të gjejnë arsye të mjaftueshme për ta patur këtë universitet zgjedhje për të zhvilluar studimet e tyre. Jo vetëm ata nga brenda rajonit tonë, por edhe të rinj nga rajonet e tjera të Shqipërisë. Koha imponon nevojën për ide të reja, të cilat duhet të orientohen në përputhje me zhvillimet aktuale social-ekonomike të rajonit dhe vendit tonë, por edhe në linjën e politikave të zhvillimit të arsimit të lartë deri në vitin 2030 që Ministria e Arsimit dhe Sportit është duke zbatuar.

Riorganizimi i programeve akademike duke marrë në konsideratë kërkesat e tregut të punës, thellimi i përpjekjeve të pedagogëve për kërkimin shkencor, avancimi i planeve strategjike me mbështetjen e të gjithë aktorëve të përfshirë në proceset e profilizimit, kombëtarizimit me universitetet e Tiranës dhe ndërkombëtarizimit me universitete të huaja prestigjioze, rritja e kapaciteteve të brendshme të Universitetit dhe ato infrastrukturore dhe krijimi i urave bashkëpunuese me sipërmarrjet private të qarkut tonë e jo vetëm, janë komponentë të vizionit që duhen shtyrë përpara e trajtuar me seriozitet dhe ritëm të shpejtë.

Përfundimi i këtij procesi integrues, i cili do të kulmojë me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, jam i sigurt se do të sjellë mundësi të reja dhe sfida të mëdha për rajonin tonë. Me një fokus të theksuar në sektorët kyç si bujqësia, turizmi dhe arsimi, dhe me mbështetje nga politikat e zhvillimit të qeverisë, është e mundur që të arrihen rezultate të jashtëzakonshme. Sfidat që lidhen me përmirësimin e institucioneve dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve janë të shumta, por përmes një angazhimi të vazhdueshëm me qasje inovative, mund të realizojmë një zhvillim të qëndrueshëm dhe përfshirës për të gjithë qytetarët tanë.
Në këtë drejtim, është e domosdoshme që çdo aktor lokal, institucional dhe privat të punojë në aleancë harmonike, për të maksimizuar mundësitë që na ofron anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe për të garantuar një të ardhme më të begatë dhe më të zhvilluar për rajonin tonë dhe Shqipërinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb