Nuk ka surpriza as në qytetin juglindor. Korça i jep sërish besimin Sotiraq Filos edhe në votimet e 30 qershorit 2019. Gazetarja Lorena Kodra bën me dije për “BalkanWeb” se sapo ka përfundur numërimi në këtë bashki të madhe dhe Sotiraq Filo merr kështu mandatin e dytë si kryebashkiak.


Nga 167 kuti të numërura, Filo ka grumbulluar 20831 vota kundrejt Leonard Ollit nga Bindja Demokratike që ka marrë 1759. Rezulton të ketë edhe 1902 vota të pavlefshme.


Sotiraq Filo menjëherë pasi u mbyll procesi i numërimi, faleminderoi Korçën dhe korçarët që i besuan një mandat të dytë. Ai tha se do punojë për të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve politike që kanë.


“Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur që banorët e Korçës më kanë besuar për të drejtuar Bashkinë e Korçës, më kanë votëbesuar për një mandat të ri. Besoj që ishte shumë e rëndësishme që zgjedhjet u zhvilluan të lira dhe të qeta, pavarësisht tensionimit të situatës në fushatë. Të gjithë qytetarët që donin të votonin e patën këtë të drejtë dhe mundën të zgjedhin mes dy kandidatëve, ashtu siç kishte edhe nga ata që me dëshirën e tyre vendosën të mos votojnë. Falenderoj ata që më besuan, pro edhe ata që nuk më besuan. Ju them se unë do të punoj për të gjithë qytetin pavarësisht se kujt bindje politike i përkasin. E rëndësishme është ajo që vjen përpara. Ne do punojmë me angazhim dhe përkushtim. Mendoj që edhe mandati i ri do të jetë po aq i suksesshëm sa ai që kemi mbyllur”,- tha Filo.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb