Isha në Korçe këtë fundjavë dhe më kapi syri vetëm një loto sporti. Tirana ka nga një për pallat, dhjetë në një lagje, ndërsa Korça në vend të lotove, ka po aq bujtina.

Qyteti është mbushur me bujtina, restorante, hotele, shtëpi pritëse, bare me dhe pa muzikë live.

Nuk ka rrugicë Korçe ku të mos gjesh të paktën katër nga këto.

Nuk i kanë hapur për Instagram. Janë plot. Mbrëmë nuk gjeje vend në asnjë nga hotelet dhe restorantet kryesore të Korçës dhe në bujtinën, ku në ndenjëm, ndërsa shikonim të zonjën që i merrte shkallët me vrap, të mund të sillte darkën për të gjithë, në vend të mërziteshim nga vonesa, nisi të na vijë keq dhe u vumë ta ndihmonim, sikur qemë në shtëpi.

Sepse kjo është Korça, me aromë petullash dhe melodi kambanash, në mëngjes, qytet që të bën të ndihesh në shtëpi.

Tani korçarët e kanë kuptuar që bëjnë diferencën nga qytetet e tjera dhe e kanë futur uniken e tyre në tregun e ofertës turistike. Tani vërtet kanë fituat lotarinë amerikane. Jo atë qe të përzë, atë qe të mban, që ta shndërron shtëpinë në bujtinë dhe të bën të fitosh me gatime shtëpie e netë Korçe, nga ato që nuk do të mbarojnë kurrë.

Në fundjave gjithë Korça shërben dhe gjithë Tirana shijon netë me serenata, lakrorë, kërnacka, birra Korca dhe çdo rrugicë e pazar, kthehet në mbrëmjen më të bukur të vjeshtës.

Kur ikëm, e s’na ikej, ndaluam në park dhe qe plot, në pazar dhe s’gjeje ku uleshe dhe kur morëm rrugën për Pogradec që ca më shumë se Korça ka liqenin, e ndjemë diferencën, sapo ndeshem gra të mbuluara e burra me mjekër.

Qyteti për të jetuar gjen zgjidhjen e tij, pavarësisht besimit, në varësi të qëllimit.

Një qytet i dorëzohet lotove, një tjetër drogës, një tjetër xhamive.

Korça e ka bere zgjidhjen e saj. I është dhënë e gjitha turizmit. Rrugë e gjatë po e vetmja afatgjatë.

Nëse kamerat e çdo televizioni apo videot e çdo portali do sillnin një fundjave me pamje Korçe, netëve të serenatave, apo mëngjeseve kur nikoqiret pastrojnë në fshesë gjurmët e natës, në kalldrëm, nuk do i bënin nder Koçës, se qyteti tanimë ka më shumë kërkesë se ofertë, por gjithë qyteteve të tjera që janë në kërkim të një shembulli. Dhe shembullin e kanë para syve, në Korçën e një mbi një bujtinave që zgjodhi turizmin, në vend të lotove.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb