Një rast i pazakontë ka tronditur qytetin e Korçës, ku 16-vjeçari Anxhelo Abidini është larguar nga banesa e tij pesë ditë më parë, duke lënë familjarët të shqetësuar dhe të paqartë për arsye e largimit të tij. Rasti është denoncuar në polici nga nëna e tij, Ermelina Mustafa, e cila ka shprehur shqetësimin se djali i saj mund të jetë larguar nga frika pas një njoftimi të Prokurorisë së Korçës lidhur me hetimet ndaj tij për një çështje vjedhjeje.

Sipas nënës së të miturit, shkaku i largimit të djalit ka qenë një fletë-njoftimi nga Gjykata e Korçës që ai ka marrë, për të informuar mbi përfundimin e hetimeve për një procedim penal ndaj tij për vjedhjen e një telefoni celular. “Te hënën është larguar, nuk e di arsyen, por i erdhi fleta e gjyqit dhe ai u tremb. Ne e kemi kërkuar. Ditën e mërkurë kam bërë denoncimin. E kemi kërkuar tek të gjithë njerëzit, por ende asgjë. Nuk e di ku mund të jetë, por mund të jetë jashtë Korçës,” tha ajo, duke shtuar se ende nuk kishte informacione për vendndodhjen e tij.

Nëna e Anxhelos ka apeluar për ndihmë nga publiku, duke kërkuar që kushdo që ka informacion të kontaktojë me familjen ose të telefonojë autoritetet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb