KORÇE- Një mesazh tronditës dhe një sasi tritoli e gjetur në garazhin e familjes, ka shokuar familjen e një 29-vjeçari në fshatin Miras të Korçës. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë, bëjnë me dije se 29-vjeçari me iniciale N.H. ka njoftuar blutë pasi ka gjetur në garazhin e tij një kallëp tritoli me fitil e detonator, si dhe një zarf me mesazh kërcënues për të dhe familjen e tij.

“Ne do të vrasim. Do të shuajmë familjen, ti je spiun i policisë”. Këto kanë qenë fjalët kërcënuese në adresë të të riut që kanë alarmuar familjen e tij dhe kanë çuar më këmbë policinë e Korçës.

Grupi hetimor ka kryer të gjitha veprimet në vendin e ngjarjes, ndërsa eksplozivi dhe zarfi me mesazhin kërcënues është dërguar në laboratorin kriminalistik për të ju nënshtruar analizave. Sipas burimeve të policisë, paraprakisht mendohet se kjo ngjarje ka lidhje me prerjen e paligjshme të druve. 29-vjeçari rezulton transportues i lëndës drusore, ndërsa si autorë të kësaj ngjarje, dyshohen banorë të zonës të përfshirë në prerjen e paligjshme të druve. Policia po punon për zbulimin e autorëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb