KORÇË- Policia e Korçës ka vënë në pranga sot me urdhër të Prokurorisë dy punonjës të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor, pasi u merrnin para shoferëve të mos i penalizonin në rastet e mangësive në dokumentacion. Sipas burimeve zyrtare, u bë finalizimi i operacionit të koduar “Transporti 2”, në kuadër të të cilit u arrestuan:

Gazmir Demiraj, 28 vjeç, banues në fshatin Eçmenik të komunës Hoçisht-Devoll, me detyrë përgjegjës i sektorit të transportit të shfrytëzimit të automjeteve në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Transportit Rrugor Korçë;

Dhimitraq Xhima, 56 vjeç, banues në fshatin Drenovë- Korçë, me detyrë inspektor i sektorit të transporti të shfrytëzimit të automjeteve në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Transportit Rrugor Korçë.

Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi duke qenë me detyrën inspektore në sektorin e transportit të shfrytëzimit të automjeteve në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Transportit Rrugor Korçë, ju merrnin shuma lekësh 500-2000 lekë të reja drejtuesve të automjeteve të transportit të udhëtarëve dhe mallrave, në mënyrë që të mos i penalizonin me masa administrative në rastet e mangësive në dokumentacion.

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, sot ka lëshuar urdhrin për ndalimin e këtyre dy shtetasve, kjo në baze të vendimeve nr. 110 dhe 111 të datës. 22.03.2015 të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, në të cilën është vendosur masa e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale të “Korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: