KORÇË- Rasti i dhunës së policisë ndaj të riut Tomi Misha në Korçë, ka bërë që Institucioni i Avokatit të Popullit të ndërmarrë hapa për verifikimin e situatës dhe problematikës së krijuar. Për këtë arsye Ndihmës Komisioneri i Avokatit të Popullit, Petrit Azemaj ka takuar sot prokurorët e çështjes në fjalë. Azemaj ka kërkuar që për këtë ngjarje të bëhet një hetim i pavarur administrativ.

Gjithashtu Komisioneri i AP ka marrë deklarime të vetë të dëmtuarit si dhe të punonjësve të policisë. Por ai tha se nuk është marrë dëshmi e nëndrejtorit të Policisë, Arben Hyseni pasi ndodhej në Tiranë.

“Takova prokurorët e çështje dhe u kërkova të bëhet hetim i pavarur administrativ . Morëm deklarime të personit të dëmtuar, i cili ndodhet i shtruar në spitalin e Korçës. Morëm gjithashtu dëshmi të punonjësve të policisë por nuk kemi marrë dëshmi të nëndrejtorit të policisë, i cili nuk ishte prezent pasi ndodhej në Tiranë. Sipas policisë është dëmtuar polici Robert Memelli”, tha komisioneri Azemaj.

Ai pohoi se vëllai i Tomi Mishës, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj policisë dhe për këtë arsye është shpallur në kërkim. “Vëllai i të dëmtuarit dyshohet për dhunë ndaj policisë, ndaj është në kërkim nga policia”, tha Azemaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb