“Koreja e Veriut ka treguar një nivel të lartë solidariteti me Rusinë duke vendosur forcat e saj për të ndihmuar Moskën të zmbrapsë inkursionin ukrainas në rajonin e Kurskut të Rusisë”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova.
Prezenca e përfolur prej kohësh e forcave të Koresë së Veriut në zonë u konfirmua zyrtarisht më herët gjatë një takimi televiziv midis presidentit rus Vladimir Putin dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të vendit, Valery Gerasimov.
Forcat e Koresë së Veriut u vendosën në zonë sipas marrëveshjes midis Moskës dhe Phenianit, e cila hyri në fuqi dhjetorin e kaluar.
Ndër të tjera, traktati parashikon ndihmën e ndërsjellë ushtarake “me të gjitha mjetet e disponueshme” në rast të një sulmi, vuri në dukje Zakharova.
“Solidariteti i treguar nga miqtë tanë koreanë është një manifestim i nivelit të lartë, në thelb aleat të marrëdhënieve tona. Ne kemi besim se lidhjet tona do të vazhdojnë të forcohen dhe zhvillohen,” tha Zakharova për gazetën Komsomolskaya Pravda.
Sipas Gerasimov, trupat e Kim Jong Un “dëshmuan profesionalizëm, guxim dhe heroizëm të lartë në betejë”. Gjenerali i ushtrisë përshëndeti forcat e vendit për “rezistencën” e tyre dhe vlerësoi kontributin e tyre në çlirimin e zonës përreth qytetit të Sudzha, i cili ishte marrë nga trupat ukrainase.
Kievi dhe mbështetësit e tij perëndimorë kishin deklaruar prej kohësh se trupat e Koresë së Veriut ishin përfshirë në armiqësitë në rajonin e Kurskut, i cili u pushtua nga forcat ukrainase gushtin e kaluar.
Para të shtunës, Pheniani dhe Moska as nuk i konfirmuan dhe as i mohuan thashethemet, ndërsa presidenti rus kishte thënë më parë se i takon të dy kombeve të përcaktojnë se si do të përmbushin detyrimet e tyre sipas paktit të partneritetit.
