Koreja e Jugut kërkoi të hënën tërheqjen e menjëhershme të trupave të Koresë së Veriut të vendosura në Rusi, teksa thirri ambasadorin rus për të protestuar ndaj thellimit të bashkëpunimit ushtarak midis Phenianit dhe Moskës.
Agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut ka thënë të premten se kishte konfirmuar se Koreja e Veriut ka dërguar 1,500 forca të operacionit special në Rusi këtë muaj, për të mbështetur luftën e Moskës kundër Ukrainës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky më herët ka thënë se qeveria e tij kishte informacione se 10,000 ushtarë të Koresë së Veriut po përgatiteshin për t’iu bashkuar forcave pushtuese ruse.
Gjatë një takimi me ambasadorin rus, Georgy Zinoviev, zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Kim Hong Kyun “dënoi me termat më të ashpër” dërgimin e trupave të Koresë së Veriut.
Ai ka thënë se kjo përbën “një kërcënim të rëndë sigurie” për Korenë e Jugut dhe komunitetin ndërkombëtar, thuhet ndër të tjera në një deklarayë të ministrisë.
Kim ka thënë se Koreja e Jugut në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar do të mobilizojë të gjitha mjetet në dispozicion për t’u marrë me një akt që kërcënon interesat e saj jetike të sigurisë kombëtare, sipas deklaratës.
Ambasada ruse citoi Zinoviev të ketë thënë se bashkëpunimi ruso-koreanoverior nuk ka synime kundër interesave të sigurisë së Koresë së Jugut.
Në një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte të hënën, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol ka thënë se Seuli nuk do të rrijë duarkryq nga bashkëpunimi ushtarak “i pamatur” midis Phenianit dhe Moskës.