Koreja e Veriut ka dënuar deklaratën e samitit të NATO-s të mbajtur në Uashington, përmes së cilës u dënuan eksportet e armëve verikoreane në Rusi. Pheniani e quajti këtë dokument “të paligjshëm”, raportoi media shtetërore verikoreane më 13 korrik.
Në deklaratën e përbashkët të lëshuar këtë javë, liderët e NATO-s kritikuan Korenë e Veriut për ndihmën që i ofron luftës së Rusisë kundër Ukrainës “duke i ofruar mbështetje direkte ushtarake” Moskës, raporton rel.
Liderët e NATO-s po ashtu shprehën “shqetësim të thellë” lidhur me mbështetjen që Kina i ofron Rusisë.
Pheniani vazhdimisht mohon pretendimet se i dërgon armë Rusisë, por në qershor lideri verikorean, Kim Jong Un, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkruan një marrëveshje që përfshin edhe zotimin se shtetet do të ndihmojnë njëri-tjetrin nëse ndonjëri do të sulmohej.
Media shtetërore në Korenë e Veriut tha se Ministria e Jashtme e shtetit “dënon dhe refuzon fuqishëm” deklaratën e NATO-s.