Koreja e Veriut konfirmoi zyrtarisht për herë të parë sot se dërgoi trupa për të lutuar përkrah forcave ruse kundër Ukrainës, me urdhër të drejtpërdrejtë të liderit komunist Kim Jong-un.
Autoritetet koreanoveriore bëjnë të ditur se trupat ushtarake dhanë një kontribut të madh në çlirimin e pjesëve të rajonit të Kurskut, në Rusi, të pushtuara nga forcat e Kievit verën e kaluar.
Fitorja në betejën për çlirimin e Kurskut tregoi “në nivelin më të lartë strategjik të miqësisë së fortë” midis Koresë së Veriut dhe Rusisë, tha Partia e Punës të Koresë së Veriut në një deklaratë, të raportuar nga Agjencia Qendrore Korena e Lajmeve (KCNA).
Sipas deklaratës, udhëheqësi Kim Jong-un mori vendimin për të vendosur trupa në Rusi sipas traktatit gjithëpërfshirës të partneritetit strategjik që ai nënshkroi me presidentin rus Vladimir Putin vitin e kaluar.
Rusia njoftoi javën e kaluar se kishte dëbuar forcat ukrainase nga fshati i fundit i Kurskut që ushtria ukrainase kishte pushtuar. Sipas Kievit, Koreja ne Veriut ka dërguar gjithsej 14 mijë trupa në Rusi, duke përfshirë 3 mijë burra për të zëvendësuar humbjet. Në mungesë të automjeteve të blinduara dhe përvojës në luftën me dron, ushtri e Koresë së Veriut thuhet se pësoi humbje të mëdha gjatë muajve të parë të luftimeve, por përfundimisht duket se situata në front u stabilizua.
Moska pranoi për herë të parë të shtunën se ushtarët e Koresë së Veriut luftuan përkrah forcave ruse në Kursk. As Rusia dhe as Koreja e Veriut nuk e kishin konfirmuar apo mohuar vendosjen e forcave të Koresë së Veriut në muajt e mëparshëm.
Sot, presidenti rus, Vladimir Putin falenderoi ushtrinë e Koresë së Veriut për kotributin e dhënë, siç tha “në humbjet që pësuan ushtarët ukrainas në rajonin rus Kursk”. Putin vlerësoi se ushtria e Koresë së Veriut e kreu detyrën e saj “me nder dhe trimëri, duke u mbuluar lavdi të përjetshme”. “Populli rus nuk do ta harrojë kurrë arritjen e forcave speciale të Koresë së Veriut që morën pjesë në humbjen e Forcave të Armatosura të Ukrainës në rajonin e Kurskut”, thuhet ndër të tjera në deklaratë e Putinit.
(BalkanWeb)
