Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, tha të dielën se ai beson që programet e armëve bërthamore, kimike dhe biologjike të Koresë së Veriut mund të eliminohen brenda një viti.

Bolton i tha kanalit CBS News se nëse Pheniani ka marrë tashmë “vendimin strategjik” për t’i dhënë fund programit të tyre të zhvillimit të armëve dhe nëse “ata janë bashkëpunues, mund të lëvizim më shpejt. Fizikisht mund të eliminojmë pjesën më të madhe të programeve të tyre brenda një viti”.

Por, Bolton refuzoi të komentojë rreth një njoftimi të gazetës “The Washington Post”, se Koreja e Veriut po përpiqet të fshehë programin e saj bërthamor, megjithëse udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un ra dakort gjatë samitit të mbajtur në Singapor muajin e kaluar me Presidentin amerikan Donald Trump, për “të punuar drejt çnuklearizimit të Gadishullit Korean”.

Bolton tha se “jemi shumë të ndërgjegjshëm për sjelljen në të kaluarën të Koresë së Veriut gjatë dekadave të negociatave me Shtetet e Bashkuara. E njohim shumë mirë rrezikun se ata mund të zvarrisin negocimet për të vazhduar programet e tyre të armëve bërthamore, kimike, biologjike dhe atyre balistike. Nuk ekziston ndonjë entuziazëm i tepruar në radhët e grupit që po merret me këtë çështje”.

Nuk pati detaje në marrëveshjen që Presidenti Trump dhe zoti Kim nënshkruan në Singapor, si dhe nuk u përcaktua një afat se deri kur Pheniani mund t’i japë fund programit të armëve bërthamore. Zoti Bolton tha se Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo do të fillojë së shpejti bisedimet me zyrtarët koreanoveriorë rreth detajeve të çarmatimit.

Zoti Bolton gjithashtu shprehu optimizëm se Kim Jong Uni do të zbatojë çnuklearizimin e vendit të tij./voa

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: