Koreja e Veriut tha sot se kishte testuar me sukses një “raketë supersonike” të re për të cilën udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un tha se kishte për qëllim frenimin e “të gjithë kundërshtarëve të vendit” në rajonin e Paqësorit.

Testi u krye dje, të hënën, në mes të një vizite në Korenë e Jugut nga Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken dhe dy javë para inaugurimit si President të Donald Trump.

Kjo “raketë balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi synon të forcojë gradualisht parandalimin bërthamor të vendit”, vuri në dukje Kim Jong Un, i cili mori pjesë në nisjen e raketës me vajzën e tij adoleshente Ju Ae. Kjo armë e re “do të pengojë me siguri të gjithë kundërshtarët në rajonin e Paqësorit që mund të dëmtojnë sigurinë e shtetit tonë”, shtoi ai, sipas deklaratave të tij të transmetuara nga agjencia e lajmeve koreano-veriore KCNA.

Sipas agjencisë, një “aliazh i ri fibër karboni” u përdor për të ndërtuar motorin e raketës, si dhe “një metodë e re (…) në sistemin e kontrollit dhe drejtimit të fluturimit. “Përdorimi i fibrës së karbonit për ndërtimin e një rakete lejon uljen e peshës së saj dhe rrjedhimisht rrit rrezen e saj dhe përmirëson manovrimin e saj. Megjithatë, kjo teknologji është e vështirë të arrihet për shkak të rezistencës së ulët të këtij materiali të përbërë ndaj temperaturave të larta.

Një raketë karakterizohet si supersonike kur mund të kalojë pesë herë shpejtësinë e zërit, pra të kalojë 6000 kilometra në orë.

“Ajo që është shqetësuese për këtë raketë është se kjo teknologji aktualisht është e disponueshme vetëm për Rusinë, Kinën dhe SHBA-në,” tha për AFP Yang Moo-jin, president i Universitetit të Seulit të Studimeve të Koresë së Veriut. “Për të arritur shpejtësi të tilla duhen materiale që janë rezistente ndaj kushteve ekstreme”, theksoi ai.

Ky është lëshimi i parë i raketës nga Koreja e Veriut në vitin 2025. Të mëparshmet u zhvilluan më 6 nëntor, pak orë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Analistët panë në këtë nisje dhe në deklaratat e Kim Jong Un një mesazh për presidentin e ardhshëm të SHBA.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb