Koreja e Veriut ka organizuar një paradë modeste ushtarake për të festuar 70-vjetorin e Ushtrisë Popullore Koreane, e themeluar pikërisht më 8 shkurt 1948.


Sidoqoftë, momenti i organizimit të kësaj parade ka tërhequr kritika nga Shtetet e Bashkuara, pasi kjo është hera e parë në 40 vite që eventi vjetor mbahet në shkurt. Në vitet e mëparshme, parada kryesore ushtarake është organizuar në muajin prill.


70-vjetori i themelimit të ushtrisë koreano-veriore përkon me Lojrat Olimpike, të cilat do të organizohen nga data 9 deri në 25 shkurt në qytetin e Pyeongchang në Korenë e Jugut.


Olimpiada do të bashkojë në mënyrë simbolike të dy Koretë, të cilat do të marshojnë nën një flamur në ceremoninë e hapjes.

Eventi sportiv shihet si një shans i mirë që dy vendet por edhe Shtetet e Bashkuara të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë mes tyre.

Një ditë më parë zv/Presidenti amerikan Mike Pence tha të mërkurën se Uashingtoni do të shpallë sanksione të reja më të ashpra kundër Koresë së Veriut për ta bindur që të braktisë programin bërthamor, duke e quajtur atë regjimin ‘më tiranik dhe shtypës’ të planetit, raporton Reuters.

Duke folur në Tokio pas takimit me kryeministrin japonez Shinzo Abe, zv/presidenti Pence premtoi se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tij, përfshirë Japoninë, do të mbajnë presion maksimal mbi Phenianin, deri sa të marrë hapa drejt “çarmatimit të plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm”.

(e.f/BalkanWeb)

Etiketa: