Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, në fjalën e saj në parlament, deklaroi se situata e koronavirusit, ka detyruar qeverinë që të shtyjë disa vendime.

Balluku thekson se në funksion të parandalimit të Covid-19, qeveria shqiptare ka nxjerrë aktin normativ për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik.

Fjala e plotë e ministres Belinda Balluku:

Fjala e ministres Belinda Balluku “Për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së çertifikatës së kontrollit teknik”

I nderuar kryetari seancës,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar kolegë,

Në funksion të parandalimit të Covid-19, Qeveria Shqiptare ka nxjerrë aktin normativ për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së certifikatës së kontrollit teknik. Ky akt synon të menaxhojë emergjencën aktuale shkarkuar nga Covid-19 si dhe të garantojë të gjithë standardet e sigurisë për të gjithë qytetarët, ashtu siç është parashikuar në një sërë aktesh e urdhrash të Komitetit të Ekspertëve dhe të Ministres të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Si të gjithë vendet e tjera të botës, edhe Shqipëria ka qenë e detyruar të marrë një sërë masash për të kufizuar shpërndarjen e pandemisë mes popullsisë, e veçanërisht mes më të rrezikuarve prej saj, duke kufizuar lëvizjen brenda vendit, duke kufizuar lëvizjen e automjeteve në zonat urbane, duke kufizuar lëvizjen brenda kufijve dhe sigurisht duke vendosur një orar policor për të kufizuar të gjithë lëvizjen në fashën 22:00 e mbrëmjes me orën 06:00 të mëngjesit.

Të gjitha këto sakrifica të përbashkëta kanë sjellë kontrollin mbi kuotat në spitale dhe rastet e rënda, por një tjetër efekt i tyre ka qenë që kanë kufizuar dhe lëvizjen e mjeteve e për pasojë edhe amortizimin e  tyre përgjatë këtij viti.

Për këtë arsye, nga ekipi ekspertëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor është propozuar që duke pasur parasysh këtë fakt teknik, mos amortizimin e këtyre mjeteve, por mbi të gjitha nevojën për të kufizuar rrezikun që vjen prej pandemisë, kemi kërkuar që të shtyhet vlefshmëria e afatit të kontrollit teknik me tre muaj, për të qenë në një linjë dhe konformitet të plot me të gjithë udhëzimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve si dhe për të ruajtur sigurinë  fizike si të operatorëve, të cilët e zhvillojnë kontrollin, si dhe mbi të gjitha të vetë qytetarëve, kemi vendosur të shtyjmë afatin e vlefshmërisë të certifikatës së kontrollit teknik me 3 muaj.

Për të gjithë qytetarët që kanë apo kanë patur datën e kontrollit periodik teknik të automjeteve të tyre në këto kohë ata kanë edhe 3 muaj kohë për të përcaktuar datën e kontrollit të tyre të radhës. Efekti primar i këtij vendimi do të jetë që do të ketë një ulje të grumbullimeve dhe radhëve për kontroll teknik duke ulur kështu rrezikun për jetën e qytetarëve. Sigurisht, sistemi i caktimit të takimeve është një sistem online, ne kemi prej kohësh që nuk kemi më radha në sportelet tona, por përsëri si pasojë e masave të diktuara nga standardet e sigurisë përballë pandemisë, kohët e këtij kontrolli janë zgjatur disi, duke ulur fluksin e kontrolleve mundësohet kështu menaxhimi i tyre brenda standardeve dhe domosdoshmërisë për sigurinë e secilit drejtues automjeti.

Gjatë gjithë kësaj kohe e në vijim, DPSHTRR është duke marrë të gjithë masat e domosdoshme për sigurinë, si të operatorëve ashtu edhe të qytetarëve, duke menaxhuar një fluks më të kontrollueshëm të kontrolleve, DPSHTRR garanton shërbimin në respekt të të gjithë protokolleve të sigurisë dhe të shëndetit. Pra duke votuar këtë akt normativ, të nderuar deputetë, për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë të certifikatës së kontrollit teknik për mjetet me motor dhe rimorkiot e tyre me 3 muaj, ashtu siç u kërkua, ne kemi mundësi të shtojmë sigurinë, duke siguruar një shërbim të përshtatshëm brenda të gjitha kushteve të parashikuara nga Komiteti i Ekspertëve për Parandalimin e Pandemisë.

Ndërkohë mund të themi që këto 3 muaj afat do të mundësojnë si rritjen e imunizimit si pasojë e fushatës së vaksinimit të popullsisë e cila do të vazhdojë, ashtu edhe uljen e shkallës së transmetimit nëpërmjet kufizimit të kontakteve dhe ruajtjes së distancimit social.

Faleminderit!

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb