Teksa Kuvendi miratoi me 77 vota pro ligjin për krijimin e korporatës së investimeve ekspertët ngrenë pikpyetje për mënyrën e funksionimit dhe zbatueshmërinë e saj. Eksperti i ekonomisë Zef Preçi duke e cilësuar një hap të nxituar miratimin e ligjit thotë se me këto ndryshime ligjore qeveria synon të marrë të drejtën e tjetërsimit të pronës duke i dhënë përparësi koncesioneve.


“Mendoj se është një hap i nxituar për të mos thënë disi arrogant sepse janë bërë disa ndryshime në draftin fillestar por që në thelb ngre pikëpyetje shumë të mëdha përsa i takon decentralizimit që goditet në këtë rast duke ju hequr pushtetit vendor një numër asetesh të rëndësishme që kanë qënë të transferuar për tu administruar prej ti dhe duke anashkaluar rolin e qeverisjes vendore. Krijohet një mekanizëm që mund të jetë fare mirë i ngjashëm me PPP pra që krijon borxh të fshehtë i cili shfaqet në periudhat që vijnë.” shprehet Zef Preçi.

Ish ministri i financave Arben Malaj ngre shqetësimin se me pretekstin e investimeve strategjike do ndërhyhet në pronësinë private. Sipas tij ligji prek liritë themelore të individit dhe nevojitet një mbikqyrje më e madhe.


“Varianti parë që diskutuam me Kryeministrin ishte që Shqipëria mund të kishte të domosdoshme një bankë zhvillimi, ku te gjitha fondet te mblidheshin ne nje agjensi zhvillimi dhe te harmonizoheshin sa me mire prioritetet sektoriale me prioritetet ne zonat perkatese. variant I dytë ishte korporata e investimeve e cila tashmë është miratuar. Pika më kritike dhe më shqetësuese është si kjo korporatë do të menaxhojë pronat publike sa do të tentohet nëpermjet ligjit të investimet strategjike të ndërhyhet në pronësinë private me idenë se do mbështet me idenë strategjike.” -thekson Malaj.


Korporata e investimeve do të përbehet nga një bord, i cili do të marr vendime për këtë agjensi. Eksperti i financave Arben Malaj thotë se duhet të shihet me kujdes përbërja e drejtuesve të kësaj korporate pasi pronat mund të keqpërdoren.

“Duhet një mbikqyrje më e fortë nga parlamenti dhe shqetësimi tjetër cili do të jetë ai trup menaxhues? A do të jetë kjo një agjenci që do të ketë përgjegjshmëri maksimale për të maksimizuar pronat publike shqiptare apo do të jetë një “dorë e zgjatur” që mund të keqpërdoret lehtësisht nën ethe korruptive apo nën presionin e kapsjes së shtetit.” vijon Malaj.

Ligji për Korporatën e Investimeve u rishikua nga qeveria pas kritikave të Fondit Monetarë Ndërkombëtar lidhur me ekspozimin që mund ti shkaktonte buxhetit të shtetit krijimi i saj ku i lejohej marrja e kredive financiare ndërsa përjashtohej nga rregullat e ligjit të prokurimit publik. Në ndryshimet që qeveria i bëri ligjit, korporata do jetë subjekt auditi nga Kontrolli i lartë i shtetit dhe do i nënshtrohet ligjit të prokurimit publik, kur prokuron fonde shtetërore dhe rregullave të donatorëve kur përdor paratë e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb